

Prishtinë, 9 shtator 2013, NOA – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç kanë arritur marrëveshje për energjinë dhe telekomunikacionin, ka bërë të ditur Catherine Ashton pas takimit trelateral në Bruksel.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri përmes një komunikate për medie njoftoi për marrëveshjen e arritur mbrëmjen e djeshme në Bruksel midis dy kryeministrave. “Jam takuar në Bruksel me kryeministrat Daçiç e Thaçi me qëllim të vazhdimit të bisedimeve mbi zbatimin e Marrëveshjes së prillit. Kryeministrat ranë dakord për energjinë dhe telekomunikacionin”,- thuhet në komunikatën e lëshuar pas takimit.
Kryeministrat kanë rënë dakord që grupi i punës për zgjedhje, që ka në krye OSBE-në, sërish të mblidhet gjatë ditëve të ardhshme, në mënyrë që vendimet e marra sonte të zbatohen sa më shpejt, thuhet në komunikatë, raportojnë mediet.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi citohet të ketë thënë sa “sot në Bruksel kemi biseduar për përgatitjen për zhvillim të mirë të zgjedhjeve lokale të nëntorit në Kosovë dhe që në to të dalë numër sa më i madh”.
Ndërsa kryeministri serb, Daçiç, u shpreh se për serbët në Kosovë as pas marrëveshjes asgjë nuk ndryshon. “Operatorët e Serbisë do të mund të vazhdojnë punën në Kosovë deri më 2015, kur do të shpallet tenderi”, raportuan mediet e Beogradit.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





