Transmetuar më 07-09-2013, 20:47

Tepelenë, 7 shtator 2013, NOA.al- Përditësuar – Aksident me dy të vdekur dhe gjashtë të plagosur në aksin rrugor që lidh qytetin e Levanit me atë të Tepelenës, humb jetën një grua rreth 35 vjeçare dhe fëmija i saj.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme, i thanë agjencisë noa.al, burime lokale policore. Policia tha se një automjet tip fuoristradë është përplasur me një zetor pasi ky i fundit teksa vinte nga një rrugë dytësore i preu rrugën fuoristradës që gjendej në autostradë.

Viktimat janë Anxhelina Muçaj, një grua rreth 35 vjeçe, bashkëshorte e Jetnor Muçaj, drejtuesit të makinës tip fuoristradë me targa AA 089 CG dhe fëmija i tyre, djali 2 vjeçar, D. Muçaj. I vogli u gjet në kanalin pranë rrugës ku ndodhi aksidenti, i pajetë.

Sakaq ka mbetur e plagosur edhe Megi Muçaj, vajza e tyre e mitur. Shoferi i fuoristradës, Jetnor Muçaj është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin lokal bashkë me të bijën.

Në spital kanë shkuar me plagë të ndryshme edhe personat të cilët gjendeshin te zetori. Ata janë Enver Troka, Krenar Troka, Erlind Zykaj dhe Aleksandër Canaj. Ata kanë mbetur të plagosur në shkallë të ndryshme dhe janë dërguar në spital në gjendje serioze.

Lidhur me këtë ngjarje forca të shumta policie janë nisur drejt vendit të aksidentit, për të hedhur dritë mbi rrethanat e tij.

Policia tha se është duke hetuar dyshimin se zetori i ka prerë rrugën fuoristradës duke shkaktuar aksidentin e rëndë pranë vendit të quajtur Kafaraj. Dyshohet se zetori nuk kishte drita, kurse hetohet dhe dyshimi se fuoristrada ishte duke ecur me shpejtësi të lartë.

/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit