


Tiranë, 6 shtator 2013, NOA.al- Në kuadër të vizitës së tij në vendin tonë Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u prit në takim nga Kryeministri i zgjedhur i Shqipërisë, Edi Rama.
Në fjalën e përbashkët për mediat, Rama tha se biseda mes tyre u fokusua në vazhdimin e një komunikimi sistematik që është mbajtur gjithmonë, por edhe për të vendosur më tutje piketat e një bashkëpunimi më të thellë për të ofruar më shumë mundësi për të gjithë shqiptarët.
Ai vlerësoi hapat e hedhur nga qeveria kosovare, për një vizion të ri për Kosovën, por edhe marrëveshjen e arritur me palën serbe, si një mundësi e re për bashkëpunimin në rajon si dhe një pikë referimin në raport me marrëdhëniet më tej.
Sipas tij marrëveshja Prishtinë-Beograd shënon mbylljen e një epoke dhe hapjen e një epoke të re, që në këtë hapësirë të re të bashkëpunojnë të gjithë kryetarët e rajonit.
“Gjatë takimit ishim në një mendje për një vizitë që unë dhe një pjesë e ministrave do të bëjmë në Prishtinë, pas formalizimit të qeverisë. Do të fillojmë menjëherë përgatitjet për një takim dy palësh mes dy qeverive, për ti dhënë një shtytje të fortë bashkëpunimit mes nesh, në ato fusha që kemi identifikuar”, tha Rama citon Noa.al.
Ndërkaq Kryeministri i Kosovës vlerësoi marrëdhëniet shumëvjeçare me Kryeministrin e zgjedhur Edi Rama, ndërsa e uroi për fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit.
Thaçi deklaroi se mes dy qeverive do të ketë bashkëpunim të ngushtë, ndërsa shtoi se Qeveria e Kosovës dhe qytetarët kanë besim në qëllimin dhe vizionin e qeverisë së re për Shqipërinë europiane. /a.y/noa.al/
Thaçi takon Berishën në mbyllje të mandatit: Faleminderit për Rrugën e Kombit!
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





