Transmetuar më 06-09-2013, 13:17

Prishtinë, 6 shtator 2013, NOA.al- Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim me të dërguarin special të Papa Françeskut, Francesko Kanalini, i cili shoqërohej nga delegati Apostolik i Vatikanit për Kosovën, Juliusz Janusz si dhe ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Gjatë takimit, ministri Hoxhaj dhe përfaqësuesit e lartë të Vatikanit dhe fesë katolike kanë biseduar për raportet shumë të mira dhe përkrahjen tradicionale që Selia e Shenjtë ka dhënë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Hoxhaj ka prezantuar progresin e gjithanshëm që po arrihet në Kosovë, fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar, si dhe avancimin e agjendës integruese evropiane të Kosovës.

Duke folur për marrëdhëniet me Vatikanin, ministri Hoxhaj ka vlerësuar lartë mbështetjen që Selia e Shenjtë ka dhënë për Kosovën dhe qytetarët e saj, në të gjitha etapat.

Hoxhaj theksoi se Ipeshkvia e Kosovës është partner i shtet-ndërtimit në promovimin e vlerave të Kosovës, krahas autoriteteve tjera fetare, si dhe luan rol të rëndësishëm në komunikim me botën.

“Ky sukses në mënyrë të vazhdueshëm i atribuohet Selisë së Shenjtë, që së fundi u

theksua nga kryeministri Thaçi gjatë ceremonisë së inaugurimit të Papa Françeskut në

Vatikan. Ky takim shërbeu për të shprehur përkushtimin e institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës për forcimin e marrëdhënieve të gjithanshme me Selinë e Shenjtë, duke shprehur bindjen se Vatikani do të ketë rol edhe më të fuqishëm në progresin e Republikës së Kosovës në të gjitha fushat, në të ardhmen”, tha Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës tha se hapi i njohjes formale nga ana e Vatikanit, do të ishte mirënjohje për vuajtjet dhe angazhimin e fuqishëm aktual të popullit të Kosovës për ndërtimin e një shteti demokratik, në përputhje të plotë me vlerat më të mira evropiane.

“Duke qenë se Selia e Shenjtë ka qenë dhe mbetet gjithmonë pranë popullit të Kosovës, shpreh bindjen time të thellë se Ati i Shenjtë, Papa Françesku do të hap zemrën e Tij për popullin e Republikës së Kosovës, njohjen e vlerave të shtetit të tyre, vlera këto të ngjizura me garanci kushtetuese dhe ligjore”, tha ministri Hoxhaj.

I dërguari special i Papa Françeskut, Francesko Kanalini, ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e Vatikanit për avancimin e mëtutjeshëm të proceseve në Kosovë.

Delegacioni i lartë nga Vatikani, ka qëndruar në Kosovë në kuadër të aktiviteteve që janë organizuar me rastin e 10 vjetorit të lumturimit të Nënë Terezës dhe 1 mijë e 700 vjetorit të ediktit të Milanos. /a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit