

Të gjithë politikanët socialistë, me eksperiencë qeverisëse të konsiderueshme dhe me kontributet më të mëdha nuk janë në kandidat-qeverinë aktuale, e cila përbëhet me individë pa eksperiencë qeverisëse të nivelit ministror dhe është ndërtuar mbi bazën e konceptit klientelist/jesmenist
Nga Kastriot Islami
Analisti Roger Kay shkruan se një nga arsyet e rënies së Mikrosoft është se “menaxhimi i zotit Ballmer, menaxher i Microsoft, është përkthyer në rrjedhje të trurit dhe në drejtimin e kompanisë kanë mbetur vetëm jesmenë (servilë)…”. Në konferencën e PS të para disa ditëve, Presidenti dhe CEO i “J.F.I ltd.”, Jacob Fass, nga Izraeli, ndër të tjera tha: “…Ne vendosëm të investonim (ne Izrael) në… të vetmin burim të madh që kishim, që ishin burimet njerëzore, njerëzit…”. Kjo ishte një nga këshillat e vyera që nuk iu kushtua aspak vëmendje nga konferenca, me sa duket qëllimisht, sepse në PS, një nga elementet themelore të investimit në burimet njerëzore, sistemi i karrierës e meritave është shkatërruar plotësisht ose, më saktë, nuk ekziston më dhe ai është zëvendësuar nga sistemi i klientelizmit. Kandidat-kabineti aktual është prova shembullore e këtij përfundimi, por “dështimi” i saj nuk duhet paragjykuar, ndonëse është një ngjarje me probabilitet të lartë. Prania e të gjithëve kandidat-ministrave, së bashku e njëkohësisht, në kandidat-kabinetin aktual, ndërkohë që janë përjashtuar të gjithë ata me eksperiencë qeverisëse e kontributet më të mëdha, është rezultat i mungesës së sistemit të karrierës sipas kontributeve, eksperiencës e meritës dhe i aplikimit të konceptit klientelist. Është normale që secili kandidat i kabinetit ka aspiruar për të qenë në kabinet, ndihet mirë që është në kandidat-kabinet (edhe për faktin që kjo ndodh për herë të parë) dhe natyrshëm mendon se është aty për shkak të kontributit e meritave individuale. Por e vërteta është ndryshe, secili prej tyre, burrë apo grua, “i ri” apo “i vjetër”, është zgjedhur fatkeqësisht për të qenë “jesmen” dhe, nëse kjo nuk ndodh, ai me shumë gjasa do të jetë jashtë kabinetit, madje me “rregullin” e ri të ndarjes së mandatit të deputetit nga ai i ministrit, ai do të jetë edhe jashtë politikës, pavarësisht arsyes përse është futur në kabinet apo kontributit, meritave apo aftësive individuale. Pra, të gjithë anëtarët e kabinetit (përveç atyre të LSI) nuk mund të mos perceptohen pjesë e klientelës dhe “jesmenizimit”, sepse sistemi mbi të cilin është ngritur kabineti është klientelist-jesmenist… dhe, në një kabinet të tillë, ose je klintelist/jesmen dhe je anëtari tij ose nuk je klintelist/jesmen dhe je jashtë tij; sepse sipas filozofisë/konceptit “rilindës”, përgjegjës për të qenët klientelist/jesmen është sistemi dhe sistemi i ngritur prej 8 vjetësh është klientelist/jesmenist. Përfundimi I: Të gjithë politikanët socialistë, me eksperiencë qeverisëse të konsiderueshme dhe me kontributet më të mëdha nuk janë në kandidat-qeverinë aktuale, e cila përbëhet me individë pa eksperiencë qeverisëse të nivelit ministror dhe është ndërtuar mbi bazën e konceptit klientelist/jesmenist. 1. Kriteri themelor i ndërtimit të qeverisë: Mungesë e plotë eksperience… Në kandidat-qeverinë aktuale, të gjithë ministrat e PS (përveç Shkëlqim Canit, që ka qenë në ekzekutiv para 22 vjetësh) janë pa asnjë eksperiencë në drejtimin e lartë të ekzekutivit, ndërkohë që shumë të tjerë (dy ish-kryeministrat Majko e Fino, ish-zëvendëskryeministri Dokle, ish-ministrat Dade, Leskaj, Xhafaj, Blushi, Klosi, Angjeli dhe dhjetëra deputetë të tjerë me mbi dy mandate në Kuvend) me eksperiencë në ekzekutiv janë jashtë qeverisë; nuk po marr në shqyrtim ata ish-ministra (Malaj, Bello, Caci, e tjerë) që janë lënë jashtë listës së kandidimit për deputet. Nuk po përfshij në këtë analizë as ish-ministrat aleatë të majtë (Gjinushi, Milo, Koçi, Koja, e tjerë), që eventualisht mund të ishin pjesë e negocimeve për një qeveri të majtë “gjithëpërfshirëse”… Vetëm pjesa e LSI-së në qeveri është ndërtuar në një raport të drejtë eksperiencë-freskim rinor, 4 prej tyre, ose 80 për qind, janë me eksperiencë në ekzekutiv dhe 1, ose 20 për qind, vjen për herë të parë në ekzekutiv. 2. Performanca elektorale, kontributi dhe meritat politike, të parëndësishme.. Prezenca e deputetëve dhe jo-deputetëve në kandidat-qeverinë aktuale nuk lidhet as me performancën elektorale të PS në nivel qarku dhe/ose as me eksperiencën politike apo kontributet e meritat e atyre që kanë qenë në krye apo anëtarë të grupeve të deputetëve në qarqe. As me profesionin e tyre. As me eksperiencën politike (me ndonjë përjashtim) për t’i konsideruar “menaxherë” politikë të nivelit të lartë. Pyetjet që do të shtroheshin për kriteret e ndërtimit të ekipit qeverisës, do të ishin: i) A është përfaqësuar çdo qark, së paku, me një deputet nga lista e deputetëve të PS për qarkun; Përgjigjja: me sa duket JO (Shkodra, Berati dhe Kukësi nuk përfaqësohen nga PS në qeveri); ii) A ka lidhje midis prezencës në kabinet dhe performancës elektorale të ekipit të qarkut, Përgjigjja: rezulton që JO (qarqet me rezultatet të dobëta në vota (Gjirokastra, Fieri) kanë përfaqësim disproporcional në qeveri, po ashtu si edhe qarqet që kanë humbur nga 1 mandat (Lezha dhe Elbasani), ndërsa qarqet me rezultate pozitive në vota (Kukës, Shkodër) nuk përfaqësohen fare në qeveri; dhe iii) A ka ndikuar eksperienca e performanca elektorale e drejtuesit të qarkut në përfshirjen e tij në kabinet? Përgjigjja: me sa duket JO (8 drejtues qarqesh me eksperiencë dhe kontribute në PS janë jashtë kandidat-ekipit qeverisës). Por çfarë kriteresh janë përdorur për të ndërtuar kandidat-qeverinë aktuale? 3. …Një shembull nga bota e zhvilluar – Microsoft… Ja se çfarë shkruhet nga një analist, Roger Kay, për largimin e drejtuesit të kompanisë Microsoft: Padroni i Microsoft-it, Steve Ballmer, do zëvendësohet pas një viti, duke lënë pas tij një grup që ka rënë nga Panteoni i ndërmarrjeve teknologjike… Një nga arsyet është se “menaxhimi i Zotit Ballmer është përkthyer në rrjedhje të trurit dhe në drejtimin e kompanisë kanë mbetur vetëm jesmenë (servilë)…”. Ky është argumenti kryesor i dështimit… 4. ….Cilësia e “ekipit elektoral” dhe rezultati zgjedhor… Numri i deputetëve që i përkasin PS në 2013-n është jo më shumë se 64, pra më pak se në vitin 2009 dhe, pra, një numër i pamjaftueshëm për ta konsideruar PS forcë politike fituese, së paku krahasuar me 2009 dhe aq më pak po t’i referohemi synimit surrealist të “Rilindjes”. Ndonëse numri total i votuesve në 2013 është rritur me mbi 200 mijë krahasuar me 2009, PS është rritur në përqindje në shkallë kombëtare jo më shumë se 0.5 për qind, pra mund të thuhet se pothuajse nuk është rritur në terma të përqindjes. Madje, në 5 qarqet Gjirokastër (-4.4%), Fier(-4.4%), Berat(-1.4%), Elbasan(-0.9%) e Korçë(-0.2%), PS është rrudhur në përqindje, duke grumbulluar ndërkohë në këto qarqe po aq mandate sa edhe ne vitin 2009, madje në Elbasan ka marrë një mandat më pak. Rritjen më të madhe PS e ka pasur në Dibër(+3.3%), Lezhë (+3.4%) dhe Kukës (+4.3%), por pa mundur edhe në këto qarqe numrin e mandateve krahasuar me vitin 2009, madje duke humbur një mandat në Lezhë. Në Tiranë, Shkodër, Durrës e Vlorë rritja është modeste, në kufijtë 1-2% duke mos pasur asnjë ndikim në rritjen e numrit të mandateve, me përjashtim të Durrësit, ku ka rritje me 1 mandat. Aleanca e majtë ka mundur të fitojë 83 mandate në sajë të 17 mandateve të fituara nga LSI, 1 mandati të fituar nga PBDNJ dhe 1 mandati nga PKDSH, pra PS është rrudhur me 1 mandat në 2013 krahasuar me 2009. Përfundimi II: Rezultati i PS në mandate është zvogëluar në 2013 në shkallë kombëtare me një mandat, nga 65 në 2009 në 64 në 2013. Performanca elektorale nuk ka qenë kriter për prezencën në kandidat-qeverinë aktuale, duke filluar me Kryeministrin që mund të konsiderohet “humbës” në shkallë kombëtare, përderisa PS në 2013 ka më pak mandate se në 2009 dhe, për rrjedhojë, ai vetë nuk mund të akuzojë asnjë drejtues qarku për mosarritje të objektivit. 5. …Performanca elektorale nuk rezulton kriter promovimi… Qarku që PS ka shënuar në 2013 rezultatin më të dobët është Gjirokastra, me një ulje prej 4.4 për qind krahasuar me 2009; Pavarësisht këtij fakti, nga ky qark me numër të vogël të deputetëve (5 deputetë në total) dhe me rezultatin më të dobët elektoral në shkallë kombëtare, Rama ka caktuar dy ministra (Arben Ahmetaj dhe Erjon Veliaj). Fieri është një qark tjetër që ka rezultatin më të dobët në shkallë kombëtare, me 4.4 për qind ulje në krahasim me vitin 2009; nga ky rreth (i dyti më i madhi pas Tiranës) janë caktuar 2 ministra (Eglantina Gjermeni dhe Ilirjan Celibashi), pavarësisht rezultatit të dobët. Po ashtu Lezha dhe Elbasani janë qarqet që PS ka humbur nga një mandat në 2013 krahasuar me 2009 (arsyeja kryesore e rezultatit të dobët zgjedhor lidhet me cilësinë e listës së deputetëve); nga këto qarqe janë caktuar përkatësisht nga 1 ministër (Mimi Kodheli dhe Damian Gjiknuri). Përfundimi III është i qartë: Jo vetëm perfomanca elektorale nuk ka qenë kriter promovimi apo prezence në kandidat-qeveri, por individët janë përcaktuar sipas parimit klientelist/jesmenist, madje edhe kur qarku ku kanë bërë pjesë, ka rezultuar me rezultat të dobët elektoral. Qarku i tretë me rezultatin më të dobët është Berati me 1.4 për qind rënie në 2013 krahasuar me 2009; këtë qark Rama e ka “penalizuar” duke mos caktuar asnjë ministër nga lista e deputetëve, ndërkohë që arsyeja kryesore e rezultatit të dobët zgjedhor lidhet me cilësinë e listës së deputetëve dhe “penalizimi” ka themel tjetër. Elbasani dhe Korça janë dy raste me rënie (të lehtë) të rezultatit zgjedhor në 2013 krahasuar me 2009. Nga këto dy qarqe Rama ka përcaktuar nga një ministër (Damian Gjiknuri për Elbasanin duke “penalizuar” drejtuesin e listës Ben Blushi), madje në rastin e Korçës është caktuar ministër kryetari i Bashkisë së Korçës (Niko Peleshi), duke shpërfillur dy kryesuesit e listës, Fino e Dade. Përfundimi IV: Janë përjashtuar apo margjinalizuar jo vetëm të gjithë socialistët me eksperiencë të konsiderueshme qeverisëse apo me kontributet më të mëdha, por janë “penalizuar” edhe ata që mund të kenë shfaqur tipare antiklienteliste. 6. …Kukësi me rezultatin më të lartë elektoral dhe Shkodra me rezultat pozitiv – të papërfaqësuara në qeveri… Rritjen më të lartë PS e ka shënuar me 4.3 për qind në qarkun e Kukësit, nga ky qark Rama nuk ka caktuar asnjë ministër. Qarku Dibër është qarku tjetër ku PS ka shënuar rritje të vlerësueshme me + 3.3 për qind, ndonëse numri i mandateve nuk është rritur, Rama ka caktuar një ministër (Shkëlqim Cani) nga ky qark. Vlora është një qark tjetër ku PS ka shënuar një rritje të shënueshme prej rreth 2 për qind, duke qenë vetë nga ky qark Rama nuk ka caktuar ministër tjetër nga ky qark. Në tri qarqe PS ka shënuar rritje modeste, mbi mesataren në shkallë kombëtare: Tiranë më +1.1 për qind, Shkodër më +1.5 për qind dhe Durrës me +1.9 për qind. Është për t’u vënë në evidencë fakti që nga këto tri qarqe vetëm nga Shkodra nuk është caktuar asnjë ministër, ndërkohë që nga Tirana janë caktuar ministra 4 deputetë (por jo kryetari i listës, Majko) dhe nga Durrësi 1 deputet (por jo kryetari i listës, Klosi). Edhe në këtë rast, është e pamundur të gjesh një kriter racional për të ndërlidhur performancën elektorale dhe eksperiencën e deputetëve me prezencën në qeveri. Përfundimi V: Qarqet e veriut që kanë pasur rezultatin më të lartë elektoral pas vitit 1991 për PS, kanë mbetur të papërfaqësuara në kandidat-qeverinë aktuale. 7. …Një të tretën e qeverisë e përbëjnë ministra jo-deputetë dhe ata të LSI… 5 ministra janë caktuar nga deputetë të LSI, kurse dy ministra, Mirela Kumbaro në Ministrinë e Kulturës dhe Bledi Cuci ministër për Çështjet Vendore janë caktuar jashtë radhëve të grupit të deputetëve. Mund të konsiderohet jashtë grupit të deputetëve edhe Niko Peleshi, kryetar aktual i Bashkisë së Korçës. Konkretisht 8 ministra, nga 20, pra rreth 40 për qind të tyre e përbëjnë ministrat e LSI e ata jashtë grupit të deputetëve. Përfundimi VI: Mbi 40 për qind e kandidat-qeverisë nuk është socialiste. 8. …8 kryetarë të grupeve të deputetëve në qarqe jashtë qeverisë… Nga 12 qarqet e vendit, vetëm 4 kryetarë të grupeve të deputetëve, Vlorë (Edi Rama), Gjirokastër (Arben Ahmetaj), Dibër (Shkëlqim Cani) dhe Lezhë (Mimi Kodheli) janë caktuar ministra. Nga 8 qarqet e tjera, asnjë nga kryetarët e grupeve të deputetëve (Majko, Blushi, Klosi, Ruci, Fino, Hafizi, Ylli, Muçmataj dhe Ruçi) nuk është caktuar në ekipin qeverisës, ndonëse edhe rezultatet në disa prej tyre (Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Kukës) kanë qenë pozitive, ndërkohë që është caktuar ministre Mimi Kodheli që ka qenë drejtuese e qarkut Lezhë, ku PS ka humbur një mandat në 2013 apo Arben Ahmetaj, ku PS është rrudhur me 4.4 %. Madje, nga Tirana janë caktuar 4 deputetë si ministra dhe nga Durrësi 1 deputet, ndërkohë që kryetarët e grupeve (Majko e Klosi) janë shmangur. Një përfundim VII do të ishte: “Fshesë” për të gjithë drejtuesit e grupeve në nivel duke demonstruar se nuk ekziston asnjë ndërlidhje midis performancës elektorale e eksperiencës politike dhe promovimit në ekzekutiv. 9. Dështimi nga “largimi e trurit” dhe afrimi i “jesmenëve”… Disa nga përfundimet e kësaj analize do të ishin: · PS nuk ka shënuar rritje në përqindje të votave në 2013 krahasuar me 2009, vlera e rritjes së votave në shkallë kombëtare nuk është më e lartë sesa 0.4-0.5 për qind. Në mandate PS me 64 mandate është rrudhur me 1 mandat në 2013, krahasuar me 2009, kur kishte 65 mandate. Në këtë kuptim, Rama mund të konsiderohet përgjegjës për “humbjen” relative në 2013-n, ndonëse PS është pjesë e maxhorancës qeverisëse në sajë të mandateve të LSI. · Qarqet me rezultatin më të dobët në vota janë Gjirokastra dhe Fieri me rreth -4.4 për qind rrudhje; nga këto dy qarqe janë caktuar nga 2 ministra i) Ahmetaj e Veliaj nga Gjirokastra dhe ii) Celibashi e Gjermeni nga Fieri. Në Lezhë dhe Elbasan, PS ka humbur nga një mandat krahasuar me 2009, por pavarësisht kësaj janë caktuar ministra nga këto qarqe, përkatësisht Mimi Kodheli (Lezhë) dhe Damian Gjiknuri (Elbasan). · Qarku me më shumë ministra është Tirana, me 4 ministra (Tahiri, Harito, Bushati e Nikolla), ndërkohë që drejtuesi i ekipit të deputetëve për Tiranën (Majko) është lënë jashtë qeverie. · Kukësi me rritjen më të lartë prej 4.4 për qind në 2013 nuk ka asnjë ministër (deputeti i vetëm Muçmataj, që ishte dhe kryetar i grupit të deputetëve, është jashtë listës së qeverisë). E njëjta gjë ndodh “çuditërisht” edhe me Shkodrën, që është njëkohësisht edhe një rreth i madh me rezultat pozitiv, por nuk ka asnjë ministër, ndërkohë që Korça me një rezultat negativ ka një ministër (zëvendëskryeministrin) që nuk ka qenë kandidat deputet, por që ka pasur postin e kryetarit të Bashkisë së Korçës. Pa ministër është edhe Berati, që nuk ka humbur mandat siç ka ndodhur me Elbasanin e Lezhën, që janë shpërblyer me nga një ministër. · Drejtuesit e ekipeve të deputetëve Majko (Tiranë), Blushi (Elbasan), Klosi(Durrës), Hafizi (Shkodër), Ylli (Berat), Fino (Korçë), e tjerë janë lënë jashtë ekipit qeverisës… · Dy ministra, Bledi Cuçi-ministër për Çështjet Vendore dhe Mirela Kumbaro – ministre e Kulturës, nuk kanë qenë në listën e kandidatëve për deputetë. 10. …Në vend të përfundimit… Asnjë kriter demokratik për respektimin e karrierës, eksperiencës apo të meritës nuk duket të jetë përdorur për të ndërtuar kandidat-kabinetin aktual dhe asnjë rregull për të lidhur performancën elektorale me prezencën në kabinetin qeveritar. Ky përfundim përforcohet nga analiza e mësipërme, ku evidentohet qartas mungesa e ndërlidhjes midis performancës elektorale, eksperiencës politike e meritës dhe promovimit në ekzekutiv. Eksperienca e Microsoft ka treguar se “suksesi është i dyshimtë”, në mos më saktësisht duhet thënë se “dështimi është i garantuar” nëse ndodh “largimi i trurit dhe afrimi i jesmenëve”. …Sistemi i karrierës dhe meritës nuk ekziston më në PS; ai është shkatërruar dhe zëvendësuar nga sistemi klientelist/jesmenist. Ndonjë nga individët e kandidat-kabinetit aktual edhe mund të ishte anëtar në një kabinet të ndërtuar mbi bazën e një sistemi vlerash e merite për shkak të potencialit apo aspiratës, por fatkeqësisht, prania e të gjithëve së bashku e njëkohësisht në kandidat-kabinetin aktual është rezultat vetëm i mungesës së sistemit të karrierës e meritës dhe i aplikimit të konceptit klientelist. Kjo situatë është krijuar me kontributin e të gjithë atyre individëve pa eksperiencë dhe të përzgjedhur për “aftësitë” e tyre klienteliste, që janë tanimë në kandidat-kabinetin qeveritar (dhe kjo është e kuptueshme), por fatkeqësisht edhe me kontributin apo mosveprimin e heshtjen e të gjithë atyre individëve me eksperiencë e merita që janë jashtë qeverisë. Mbetet të vlerësohet nëse ky sistem karriere e merite dhe strategjia për lënien jashtë e individëve me eksperiencë do të ndikojë në “brishtësinë” e kësaj maxhorance të “fortë” apo në “fortësinë” e kësaj maxhorance të “brishtë”?! Apo kjo strategji do të ndryshojë?… Apo siç ndodh në botën e zhvilluar (rasti i Microsoft) ky sistem do të dështonte?… /Gazeta Panorama/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





