Transmetuar më 05-09-2013, 17:25

Shkup, 5 shtator 2013, NOA.al- Policia e Perusë javën e kaluar ka arrestuar konsullin e nderit të Maqedonisë në këtë shtet latinoamerikan. Bëhet fjalë për konsullin e nderit Dejan Atanasovski, i cili për ngjarjen që ka ndodhur është xhiruar edhe nga një televizion lokal peruan.

Atanasovski sipas televizionit, kishte keqtrajtuar fqinjët e tij në banesën ku po jetonin. “Fqinjët e revoltuar kanë thirrur policinë për ti mbrojtur, por konsulli i revoltuar ka sulmuar edhe policinë”, ka raportuar televizioni “Frecuencia Latina”.

Sipas lajmit të publikuar, konsulli maqedonas ka qenë i njohur për policinë për raste të tilla të dhunës dhe reagimeve të ashpra.

Ministria e Jashtme në Shkup ka reaguar sot lidhur me incidentin, duke theksuar se rasti me konsullin është një skenar i përgatitur nga televizioni i pavarur peruan, vetëm për rrënimin e imazhit të tij si diplomat. MPJ informoi se konsulli Atanasovski ka angazhuar avokatin e tij për të ngritur kallëzim penal kundër televizionit peruan. /n.p/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit