

Slloveni, 4 shtator 2013, NOA.al- Kreu i Lëizjes Socialiste për Integrim i pranisëhm në Bled të Sllovenisë ku u zhvillua “Forumi Strategjik i Bledit” me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve nga Europa dhe bota, ku trajtohen çështje politike dhe ekonomike me rëndësi globale, mbajti fjalën e tij.
Një panel i veçantë në forum ju dedikua marrëdhënieve BE-Ballkani Perëndimor pas anëtarësimit të Kroacisë, ku ishte i ftuar si panelist zoti Meta, disa personalitete të larta politike nga rajoni si dhe Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit, Philip Reeker.
Meta vuri theksin tek nevoja e vendit për avancimin e shpejtë të reformave nga ana e qeverisë së re, ku në krye të axhendës mbetet procesi i integrimit europian. Ai e vlerësoi se sfidat me të cilat përballet vendi janë të shumta, që nga zbatueshmëria e ligjit, lufta korrupsionit dhe krimit të organizuar deri në reformat institucionale dhe ekonomike.
Meta shprehu besimin dhe vullnetin e maxhorancës së re për të dhënë një fizionomi të re qeverisjes së vendit, me fokusin kryesor zgjidhjen e probleme ekonomike dhe sociale për qytetarët shqiptarë.
Kryetari i LSI-së, gjatë diskutimit në panel konfirmoi se roli i Shqipërisë do të vazhdojë të jetë konstruktiv, në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon. Gjithashtu, ai shtoi se bashkëpunimi rajonal do të njohë një dimension të ri që shkon përtej thjesht marrëdhënieve korrekte politike dhe diplomatike mes vendeve, por që intensifikon më shumë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare në funksion edhe të integrimit më të shpejtë të rajonit në BE.
Gjithashtu, Meta tha se realizimi i projekteve të përbashkëta rajonale apo krijimi i tregjeve të përbashkëta rajonale, siç është ai i energjisë, do të ishte një vlerë e shtuar në funksion të një rëndësie më të madhe gjeostrategjike të rajonit. Në këtë kontekst, z. Meta u ndal edhe tek rëndësia e projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik Pipeline (TAP), si një projekt strategjik rajonal që do të garantojë furnizimin me gaz, jo vetëm për Europën, por edhe për vendet e rajonit./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





