Transmetuar më 02-09-2013, 19:56

Redaksionale NOA.al

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Prishtinë, ka vendosur gjatë mbledhjes së të hënës që të heqë logon e Republikës së Kosovës nga fletëvotimet e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

Ky vendim u konfirmua nga KQZ e cila tha se e mori në mbledhjen e saj të 44 të zhvilluar gjatë ditës së sotme.

Kështu, edhe zyrtarisht u përmbush kërkesa e Serbisë që në zgjedhjet e 3 nëntorit të mos figurojë logoja e shtetit të Kosovës.

Ky vendim konsiderohet nga shumë njerëz në Shqipëri dhe Kosovë si një turp dhe si akt i papranueshëm e padyshim si një thyerje para Beogradit dhe kërkesave nacionaliste dhe antishqiptare që Serbia dhe serbët nuk reshtin së hedhuri për pranim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tha se e mbështeti vendimin në një kërkesë të parashtruar formalisht nga anëtari serb në KQZ. Sipas vendimit që vlen vetëm për këto zgjedhje lokale, në fletët e votimit do të vendoset vetëm logoja e KQZ dhe jo ajo e Republikës së Kosovës që do të demonstronte kështu logon shtetërore të shtetit më të ri shqiptar. “Fletëvotimi do të ketë logon e Komisionit Qendror Zgjedhor, dhe do të jetë unik për tërë territorin e Kosovës”, – tha zyrtarisht KQZ.

Por vendimi më shumë se teknik shikohet nga analistët si një pranim kokulur i kërkesës së papranueshme dhe antishqiptare serbe, kërkesë e cila u vu si kusht i Serbisë që minoriteti serb në Kosovë të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013.

“Komisioni Qendror Zgjedhor është i përkushtuar që të ofrojë kushte të barabarta për të gjithë votuesit e Republikës së Kosovës dhe të organizojë zgjedhje në të gjithë territorin”, – thuhet në justifikimin që KQZ i bën vendimit, duke u përpjekur të thotë se ishte e detyruar t’i bindet kushtit serb.

Në të vërtetë, as më shumë dhe as më pak, KQZ ka vendosur që të mohojë identitetin e shtetit të Kosovës duke hequr logon e Republikës nga fletët e votimit. NOA.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit