



Tiranë, 2 shtator 2013, NOA.al- Kryeministri në detyrë Sali Berisha ka komentuar mbledhjen e dytë të kabinetit të Kryeministrit të zgjedhur Edi Rama, e cila këtë herë pritet të zhvillohet gjatë pasdites në qytetin e Shkodrës.
“Të dashur miq, mbledhja dyditore e kabinetit pa letra të Piktorit në Durrës dështoi. Shkaku i anulimit qëndron në faktin se Gjushi nuk bindi dot pronarët e hoteleve në Durrës për të pritur falas kabinetin e Piktorit dështak për nderin që po i bënte qytetit bregdetar me eventin historik! Madje merret vesh se miliarderi Gjushi (Vangjush Dako) as që futi dorën në qese për të sponsorizuar një pjesë të shpenzimeve të orgjive dhe mbledhjeve të qeverisë nomade dhe pa dokumente të zotit Rama në qytetin e tij. Inati është diku tjetër ????”, shkruan Berisha në profilin e tij në Facebook.
Kujtojmë këtu se kreu i PS dhe kryeministri i ardhshëm Edi Rama, pritet të zhvillojë rreth orës 17.00 një mbledhje me kabinetin e ri qeveritar në qytetin e Shkodrës.
Tema kryesore e takimit mes ministrave të PS dhe LSI, nën drejtimin e z.Rama, do të jetë diskutimi për programin e 100 ditëve të para dhe miratimin e axhendës qeverisëse.
Ministrat pritet që të paraqesin strategjinë për secilin dikaster, si dhe strukturën e ministrive përkatëse. Qysh pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit, kjo është mbledhja e dytë e kabinetit të qeverisë së ardhshme. Mbledhja e parë u zhvillua për dy ditë me radhë në në qytetin e Vlorës./a.y/noa.al/
Pas Vlorës, Rama mbledh kabinetin e ri qeveritar në Shkodër
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





