

Francë 2 shtator 2013, NOA- Një dokument i shërbimeve sekrete franceze, i publikuar sot në median ndërkombëtare, thotë se regjimi i presidentit sirian Bashar al Asad ka rreth 1 mijë tonë armë kimike. Mes këtyre armëve ka gaz sarin, por edhe gazin VX. Gazi VX cilësohet si produkti toksik më vrasës që është krijuar ndonjëherë.
VX është një gaz nervin i ndaluar nga OKB në vitin 1993. Efektet e tij janë shkatërruese për organizimin brenda 2-10 minutave, pasi veç dëmtimit të organeve bllokon lëvizjen e muskujve.
Sipas ekspertëve ky gaz është më i rrezikshëm, pasi ambienti do mjaft kohë të pastrohet nëse ai hidhet në përdorim.
Për të shkaktuar vdekjen e një njeriu, vlerësohet se është e mjaftueshme një dozë prej 10 miligramësh. Gazi dëmton sytë, organet e frymëmarrjes, por thithet edhe nga lëkura.
Në raportin e shërbimeve franceze thuhet se Assad ka raketa që mund të arrijnë shënjestra në një distancë deri në 300 milje. Shërbimi sekret francez po ashtu fajëson regjimin qeveritar për masakrën ku u vranë mbi 1400 civilë.
Sipas tyre, trupat e besuara të Asad kanë hapur zjarr me gaz sarin për të shkaktuar terror. a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





