Transmetuar më 02-09-2013, 08:42

Njoftimi, që pasoi lajmin për përdorimin e armëve kimike në Siri, për një samit që do të mbahet këtë javë në Jordani mes drejtuesve ushtarakë nga SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja, Turqia, Arabia Saudite dhe Katari është një zhvillim i mirëpritur.

Nga Tony Blair

Politika perëndimore ndodhet në një kryqëzim: të komentojë apo të veprojë, të përjetojë ngjarjet apo të reagojë ndaj tyre. Pas përvojës së fushatave të gjata dhe të dhimbshme në Irak dhe Afganistan, unë e kuptoj çdo impuls për të qëndruar larg trazirave, që të ndiqet situata, por jo të ndërhyhet, të ngrihen tonet e deklaratave, por jo të angazhohesh në punën e vështirë dhe me dilema të ndryshimit të realitetit në terren. Por ne duhet të kuptojmë pasojat e qëndrimit duarkryq në vend të aktivizimit tonë. Njerëzit janë skeptikë për idenë e ndërhyrjes.

Por janë në gjendje të parashikojnë pasojat e pritshme të mosveprimit dhe drojës: Një Siri e ngecur në kasaphanën mes brutalitetit të Bashar Al Assadit dhe organizatave të ndryshme të afiluara me Al Qaedën, një harlisjeje në terren të ekstremizmit pafundësisht më të rrezikshëm se ai në Afganistan në vitet ’90; Egjiptit në kaos, me perëndimin që padrejtësisht po sheh sesi po i jepet ndihmë atyre që mund ta kthejnë vendin në një version Suni të Iranit, apo edhe Irani vetë, që pavarësisht presidentit të ri, mbetet gjithsesi një diktaturë teokratike që zotëron bombën bërthamore. Pra kështu, mosveprimi do bënte që Perëndimi të dukej konfuz, me aleatët e vet që do trembeshin dhe armiqtë e tij që do të merrnin kurajë. Ky është një skenar i frikshëm, por që deri më tani nuk ka ngjarë.

Të fillojmë me Egjiptin. Për shumëkënd në Perëndim është e qartë se ushtria egjiptiane ka hequr nga pushteti një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe tani po shtyp një parti që është legjitime, po vret mbështetësit e saj dhe po burgos liderët e saj. Pra ne jemi sipas këtij mendimi në rrugën e duhur për të izoluar qeverinë e re. Duke bërë kështu, ne mendojmë se po ruajmë dhe mbështesim vlerat tona. Unë e kuptoj tërësisht këtë vështrim. Por ta përqafosh atë do të ishte një gabim i rënë strategjik. Iluzioni në këtë qasje qëndron te karakteri i Vëllazërisë Myslimane. Ne e mendojmë atë si një parti politike normale. Nuk është. Nëse ju dëshironi të anëtarësoheni në Partinë Konservative Britanike apo në Partinë Kristian-Demokrate apo në Partinë Demokratike Amerikane, ju mund ta bëni këtë lehtësisht dhe ata do t’iu mirëpresin me krahë hapur. Në të gjitha këto vende, të gjitha partitë respektojnë liritë bazike demokratike.

Vëllazëria Myslimane nuk është një parti e tillë. Anëtarësimi në të konsiston në një proces shtatë vjeçar stazhi dhe indoktrinomi. Vëllazëria është një lëvizje e drejtuar nga një hierarki që i afrohet më shumë bolshevikëve. Lexoni fjalimet-jo ato që publikohen për veshët e perëndimorëve, por ato që publikohen për veshët e egjiptianëve. Ajo që ata po bënin në Egjipt ishte të “mos qeverisnin keq”. Nëse ju zgjidhni një qeveri të keqe, pra të vështirë-atëherë do përshtateni me të. Vëllazëria Myslimane, përkundrazi, në mënyrë sistematike ndryshonte Kushtetutën dhe merrte në kontroll levat komanduese të shtetit në mënyrë që sundimi i saj të sfidohej. Dhe po e bënte këtë duke ndjekur vlera të cilat bien ndesh me çdo gjë në të cilën demokracia bazohet. Pra ju me të drejtë mund të kritikoni veprimet, shpesh të ekzagjeruara të qeverisë së re ushtarake, por është e vështirë të kritikosh ndërhyrjen që e jetësoi atë.

Tani të gjitha zgjidhjet me të cilat përballet Egjipti janë të këqija. Ka një numër të madh policësh dhe ushtarësh mes të vrarëve sikundër edhe ka edhe civilë; dhe pjesërisht edhe si pasojë e rënies së liderit libian Muhamer el-Gaddafi, në Egjipt po vërshojnë armët. Por vetëm duke dënuar ushtrinë nuk do të arrihet një rikthim i demokracisë në një të ardhme të afërt. Egjipti nuk është një krijesë e lojërave të forcës mes fuqive të mëdha të shekullit të 19-të apo 20-të. Ai vjen nga një qytetërim antik që shkon pas në kohë me mijëra vjet, i mbushur me një krenari të egër nacionale.

Ushtria ka një vend të veçantë në shoqërinë e tij. Njerëzit duan demokracinë, por ata do të mbeten mospërfillës ndaj kritikëve perëndimorë që u duken fare naivë në dritën e kërcënimit që përbën për demokracinë Vëllazëria Myslimane. Ne duhet ta mbështesim qeverinë e re në stabilizimin e vendit; t’i kërkojmë kujtdo, përfshirë edhe Vëllazërinë Myslimane që të lërë rrugën dhe t’i hapë udhën një procesi zgjedhor të vërtetë të monitoruar nga vëzhgues të pavarur.

Një kushtetutë që mbron minoritetet dhe tiparet kryesore të vendit duhet të hartohet dhe të gjitha partitë politike duhet të veprojnë në përputhje me rregullat që sigurojnë transparencë dhe zotim ndaj procesit demokratik.  Kjo është e vetmja rrugë realiste që të ndihmohen ata të cilët-ndoshta janë shumicë-dëshirojnë një demokraci të vërtetë dhe jo zgjedhje që janë një rrugë për dominim.

Në Siri, ne e dimë çfarë po ndodh-dhe se është gabim që të lihet edhe më tutje të ndodhë. Por lini mënjanë çdo argument moral dhe vetëm mendoni për një çast për interesat e botës. Të mos bërit asgjë do të thotë thjesht shpërbërje e Sirisë, e ndarë në gjak, me vendet përreth që destabilizohen dhe valën e terrorizmit që mbulon të gjithë rajonin.

Assad do të mbetej në pushtet në pjesën më të pasur të vendit, përballë një ndarjeje të hidhur sektare në hinterlandin lindor të vendit. Irani me mbështetjen e Rusisë, do të dilte mbizotërues dhe Perëndimi në pamje të jashtme i pafuqishëm. Dëgjoj njerëz që thonë se nuk ka se çfarë të bëhet; sistemi i mbrojtjes siriane është shumë i fuqishëm, çështjet shumë komplekse dhe në çdo rast, pse të marrësh anë kur çdonjëri është më i keq se tjetri? Por edhe të tjerët po zgjedhin krah. Ata nuk janë të tmerruar nga perspektiva e ndërhyrjes.

Ata po ndërhyjnë në mbështetje të një regjimi që sulmon civilët në disa mënyra që nuk janë parë që nga ditët e errëta të Sadam Husseinit. Është koha që ne të marrim një krah: atë të njerëzve që duan atë çfarë ne duam, që e shohin shoqërinë tonë, megjithë të metat e saj, si diçka për t’u admiruar, njerëz që e dinë se nuk kanë pse të përballen me zgjedhjet mes tiranisë dhe teokracisë. Unë e urrej konceptin që nënkuptohet pas kaq shumë përshkrimeve tona se arabët, apo njerëzit që besojnë në Islam nuk janë të aftë të kuptojnë sesi është një shoqëri e lirë, se atyre nuk mund t’u besohet diçka e tillë kaq moderne si shteti sa kohë në këto vende besimi në vend të tij. Nuk është e vërtetë.

Çfarë është e vërtetë është se aty zhvillohet një betejë për jetë a vdekje për të ardhmen e Islamit, me ekstremistët që synojnë të çrrënjosin si traditën liberale islame, ashtu edhe botën moderne. Në këtë betejë, ne nuk duhet të jemi neutralë. Kudo ku ky ekstremizëm po shkatërron jetët e njerëzve të pafajshëm-nga Irani në Siri, Egjipti, Libia dhe Tunizia, sikurse në vende të tjera në Afrikë, Azinë Qendrore dhe Lindjen e Largët – ne duhet të jemi në anën e tyre. Si një nga arkitektët e politikës që u ndoq pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, unë i njoh kundërshtitë,  ankthin dhe kostot e vendime që do merren. Unë e kuptoj se përse penduli ka anuar kaq gjatë në rrugën tjetër.

Por nuk është e nevojshme që t’i rikthehemi asaj politike për të bërë dallimin. Forcat që e bënë ndërhyrjen në Afganistan dhe Irak aq të vështirë, janë padyshim ato që sot ndodhen në qendër të stuhisë. Ato duhet të mposhten. Ne duhet t’i mundim ato, sado kohë që të na duhet, sepse përndryshe ato nuk do të zhduken. Ato do të rriten edhe më tej, derisa ne do të arrijmë në një kryqëzim tjetër; në atë pikë, nuk do të ketë më zgjidhje.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit