Transmetuar më 01-09-2013, 22:51

Janinë, NOA.al- Një çift emigrantësh shqiptarë dhe dy fëmijët e tyre të vegjël, janë përballur me peripeci të shumta në përpjekje për t’u larguar nga Greqia për t’u rikthyer në Shqipëri.

Familja shqiptare nuk e ka pasur të mundur që të dilte legalisht nga kufiri grek për në tokën amë për shkak të problemeve me dokumentacionin, raporton noa.al.

Ndoshta sepse e kishin tentuar dhe herë tjetër dhe kishin dështuar, ndoshta sepse nuk donin kokëçarje me doganierët grekë, ata kanë vendosur që të paguajnë një taksixhi grek që t’i fusë në makinën e tyre dhe të largohen ilegalisht nga Greqia.

Por telashet nuk patën të sosur për familjen emigrante.

Këtë të diel, ndërsa ishin duke udhëtuar me makinën e 54 vjeçarit grek, në lokalitetin Merxhani pranë Janinës, çifti 39 dhe 27 vjeç me fëmijët janë ndaluar nga policia lokale. Ata ishin ndjekur që nga rruga Kardhica-Lamia prej policisë greke.

Katër shqiptarët janë shoqëruar në stacionin policor kurse 54 vjeçari grek është arrestuar nën akuzën e trafikut të qenieve njerëzore.

Policia tha se pas izolimit të familjes shqiptare kanë prerë një urdhër refuzimi hyrjeje disavjeçar duke i akuzuar për kalim të paligjshëm të kufirit dhe qëndrim ilegal në Greqi. E ndërkohë çështja e tyre i kaloi gjykatës së Janinës për veprime të mëtejshme. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit