Transmetuar më 01-09-2013, 10:54

Tiranë, 1 shtator 2013, NOA – Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka bërë të ditur sot hyrjen në fuqi të paketës civile në sistemin e drejtësisë. Në një postim në rrjetin social Facebook, ministri Halimi shprehet se me reformën e re, qytetarët do të mund të marrin dëshminë e trashëgimisë te noteri dhe jo në gjykata.

“Sot hyn në fuqi paketa civile. Thyejmë tabutë dhe sjellim një traditë të re në fushën civile. Më shumë se 30.000 qytetarë në vit nuk do të shkojnë më në gjykatë për të kërkuar dëshminë e trashëgimisë, nuk do të harxhojnë më, mijëra lekë për shpenzime gjyqësore dhe afërsisht një muaj kohë, por do të përfitojnë këtë shërbim në pak minuta, nga noteri”,- shprehet ai.

Ministri shton se reforma e re ka eliminuar dhe hapjen e proceseve gjyqësore për urdhrat e ekzekutimit.

“Nga nesër qytetarët që kanë fituar një proces gjyqësor nuk do të detyrohen të shkojnë sërisht në gjykatë për të filluar një tjetër proces, atë të lëshimit të urdhrit të ekzekutimit. Gjykime për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit nuk do të këtë më”,- shprehet z. Halimi.

Një tjetër pikë e reformës është dhe sistemi i ri i informimit të qytetarëve për proceset gjyqësore. “Qytetarët do të informohen edhe nëpërmjet sms-ve apo e-mail-it për ditën e gjyqit, për çfarë ka ndodhur në seancë dhe do të kenë mundësi monitorimi 24 orë në 24. Reforma civile që hyn sot në fuqi, ndihmon në rritjen e efiçensës së sistemit gjyqësor duke eliminuar muajt e pritjes për daljen e datës së gjyqit apo zvarritjen me vite në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë”,- pohon z.Halimi.

Veç qytetarëve, përfitime nga kjo reformë do të ketë dhe sistemi bankar. “Gjyqtarët do të kenë më pak procese; ndaj dhe trupat gjykues më fleksibël, si dhe kalendari elektronik për proceset civile, do të shkurtojnë kohën e gjykimit për këdo që i drejtohet gjykatës. Hyrja e kësaj pakete në fuqi është siguri e shtuar edhe për sistemin bankar, i cili do të ketë mundësi të ekzekutojë më shpejt kreditë e këqija; do të mund të kontrollojë online se çfarë bën përmbaruesi me çështjen e tyre si dhe të sigurojë kolateralin”,- shprehet Halimi.

Ministri vlerëson se kjo reformë është bërë e mundur falë punës së Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të huaja që asistojnë projektet në vend.

“E realizuam këtë reformë dhe nga sot çdo shqiptar do të gëzojë frutet e saj. Paketa Civile si të gjitha proceset transformuese që ndërmori Ministria e Drejtësisë u mbështetën nga ekspertë të misioneve të huaja, u përkrahën nga grupet e interesit dhe për to u investua stafi i ministrisë, një ekip profesionistësh të cilit i jam mirënjohës për reformat e guximshme të këtyre viteve”,- u shpreh ministri Eduard Halimi. /a.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit