

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, në një deklaratë zyrtare lidhur me situatën në Siri, tha mbrëmjen e sotme se regjimi i Bashar al Assad përdori armë kimike mbi popull, duke shkaktuar mijëra viktima të pafajshme dhe paralajmëroi një ndërhyrje të kufizuar ushtarake pa pritur një verdikt nga OKB.
"Jam i gatshëm ta jap urdhrin për sulmin e shënjestruar kundër Damaskut", – u shpreh z.Obama.
Presidenti amerikan, deklaroi se e kishte marrë vendimin për një ndërhyrje kundër regjimit sirian, por do të kërkonte miratimin e Kongresit.
"Kam vendosur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të reagojnë ushtarakisht kundër regjimit sirian dhe vendi është i gatshëm për ndërhyrje", deklaroi presidenti nga Shtëpia e Bardhë duke i bërë thirrje Kongresit që të mbështeste një operacion të tillë.
Votimi i Kongresit amerikan mbi përdorimin eventual të forcës kundër regjimit të Assadit në Siri do të zhvillohet pas 9 shtatorit, kur fillojnë edhe punimet.
Pse një sulm ushtarak
Sipas z.Obama, përdorimi i armëve kimike rrezikon sigurinë e rajonit dhe të mbarë botës. Duke u ndalur tek zhvillimet e fundit, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se sulmet me armë kimike u provuan nga Organizata për Kombet e Bashkuara.
“Jemi gati për ndërhyrje ushtarake. Ushtria do të zhvendoset në pikat strategjike në rajon, dhe jemi të gatshëm të sulmojmë kurdo që të jemi gati. Do të sulmohet, nesër, pas një jave, ose ndoshta një muaji. Unë jam gati të jap urdhër për sulmin. Ne duhet të marrim një vendim, pa pritur rezultatet e reporterëve të OKB”, tha Obama, citon Noa.al.
Ai shtoi se e ka autoritetin të kryer një sulm në Siri edhe pa autorizimin e Kongresit, por theksoi se duhet që ndërhyrja të jetë e studiuar, ndërsa shtoi se duhet të njihen gjithashtu edhe kostot nëse nuk veprohet.
Obama tha se nuk pret që shumë kombe të jenë dakord me vendimet e marra, por theksoi se nuk mund të rrihet duarkryq përballë një situate të tillë, duke kërkuar mbështetjen e tyre.
Në vijim ai kërkoi mbështetjen e Kongresit për vendimin e marrë, ndërsa theksoi se është koha që ti tregohet botës se Amerika i mban premtimet që jep.
Sakaq reagoi edhe OKB: Kombet e Bashkuara "nuk do të tërhiqen nga veprimtaria e tyre humanitare" në Siri, sipas një deklarate të zëdhënësit të OKB-së, Martin Nesirsky.
"‘Organizata e Kombeve të Bashkuara do të qëndrojë në Siri për të vazhduar me punën e saj humanitare të ndërmarrë në Siri dhe në terren do të qëndojnë rreth një mijë punonjës", theksoi zëdhënësi i OKB-së, Martin Nesirsky". /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





