



Këshilli i Sigurimit i OKB-së përgëzoi të dy palët – Prishtinën dhe Beogradin për angazhimin e tyre ndaj dialogut dhe progresin e bërë deri më tani dhe u kërkoi atyre që të bëjnë më shumë për forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe respektimin për të drejtat e njeriut në Kosovë
Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskutoi mbi raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën lidhur me zhvillimet e tre muajve të fundit. Kosova dhe Serbia ishin përfaqësuar në takim nga ministrat e jashtëm, Enver Hoxhaj dhe Ivan Mërkiç. Ministri i jashtëm Hoxhaj theksoi se ka ardhur koha që roli i UNMIK-ut në Kosovë të ndryshojë.
Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë , Farid Zarif, ka thënë se marrëveshja e 19 prillit midis Kosovës dhe Serbisë ka mundësuar përparim konkret në marrëdhëniet midis dy vendeve.
Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku është diskutuar raporti i rregullt tremujor për Kosovën, Zarif u ka bërë thirrje kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç që, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të zgjidhin çështjet e hapura, prej të cilave varet organizimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë, më 3 nëntor.
Farid Zarif, përfaqësues special i Sekretarit të Përgjithshëm Ban Kin Moon, tha në një video-konferencë para Këshillit të Sigurimit ( KS ) të enjten se është e rëndësishme që zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë të kenë sukses dhe u bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të vazhdojnë të bëjnë përpjekje për të zbatuar plotësisht marrëveshjet e arritura deri më tani .
Duke folur në një takim të KS të OKB mbështetur pjesërisht në raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm mbi Misionin e Përkohshëm të Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë ( UNMIK) , Zarif , i cili shërben gjithashtu si kreu i UNMIK-ut në Kosovë, tha se Beogradi dhe Prishtina kanë vazhduar duke bërë progres , por duhen edhe më shumë përpjekje , fleksibilitet dhe të ketë më shumë gatishmëri për kompromis që janë akoma të nevojshme, sipas tij .
Gjatë raundit të 15-të, të dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel më 27 gusht , kryeministri serb Ivica Daçiç dhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi diskutuan rreth telekomunikacionit dhe energjetikës, fusha ku progresi ka qenë i ngadaltë, dhe ranë dakord që bisedimet rreth këtyre çështjeve duhet të vazhdojnë në nivelit teknik , tha Zarif.
Një nga temat e diskutimit të tij ishte edhe çështja për përgatitjet për zgjedhjet vendore, të planifikuara për në 3 nëntor të këtij viti, tha Zarif , duke shtuar se kjo është një sfidë për shkak të afateve të ngushtë.
“Është shumë e rëndësishme që zgjedhjet të kenë sukses duke zgjedhur përfaqësuesit e bashkësive lokale me një pjesëmarrje masive”, tha ai.
Zarif tha gjithashtu se është e rëndësishme për të inkurajuar një pjesëmarrje masive në zgjedhje, sidomos kur është fjala për veriun e Kosovës.
Zbatimi i marrëveshjes historike 19 të prillit, në mes të Beogradit dhe Prishtinës është një proces delikat që kërkon përpjekje të vazhdueshme , tha ai , duke shtuar se të dyja palët duhet të fokusohen në implementimin e asaj që është rënë dakord për të siguruar përparim të qëndrueshëm .
Sipas kreut të UNMIK-ut , përpjekjet për të forcuar besimin dhe pajtimin në mes të komuniteteve janë po aq të rëndësishme.
Duke folur për çështjen e personave të zhdukur, Zarif tha se ai bën thirrje për vullnet politik për të dalë me prova të reja dhe mbrojtur dëshmitarët dhe u bëri thirrje të gjitha palëve për të konfirmuar angazhimin e tyre për zgjidhjen e çështjes .
Në mbledhjen e së enjtes të Këshillit të Sigurimit, Kosova dhe Serbia janë përfaqësuar për herë të parë jo nga Kryeministrat por nga ministrat e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe Ivan Mërkiç, të cilët kanë akuzuar njëri-tjetrin për ngecje në zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit.
Hoxhaj ka thënë se gjatë kësaj periudhe raportuese janë vërejtur disa përparime, porse, në të njëjtën kohë, ekzistojnë disa tendenca të qarta nga ana e Beogradit për të devijuar nga obligimet origjinale, të cilat dalin nga marrëveshja e normalizimit.
“Duke parë hapat pozitivë, ne mirëpresim mbylljen e njëmbëdhjetë zyrave policore serbe në komunat veriore. Në të njëjtën kohë, ka dëshmi që anëtarë të strukturave paralele serbe po vazhdojnë të operojnë nga premisa private, duke qëndruar kështu në gjendje gatishmërie për të destabilizuar këtë pjesë të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka shprehur angazhimin e Kosovës për të zbatuar plotësisht marrëveshjen e normalizimit me Serbinë, ndonëse ka thënë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore do të arrihet atëherë kur Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.
Gjatë fjalimit, ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj ka kërkuar po ashtu që të ndryshohet Rezoluta 1244 dhe që Republika e Kosovës të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Homologu i tij nga Serbia, Ivan Mërkiç, ka thënë se Kombet e Bashkuara duhet të mbesin në Kosovë si “ndërmjetësues të ndershëm” dhe si garantues se pala tjetër nuk do të shkelë marrëveshjet.
“Konsiderojmë se Marrëveshja e Brukselit është vetëm fillimi dhe jo fundi i normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Mërkiç, duke shtuar se nuk duhet të ketë përpjekje për të penguar zbatimin
Ambasadorja e re SHBA, në Kombet e Bashkuara në New York Samantha Power
Në diskutimin e saj, ambasadorja e re amerikane në Kombet e Bashkuara Samantha Power, tha se ajo vlerëson të dyja qeveritë për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve. Ajo tha se dialogu ka krijuar mundësi për të rritur stabilitetin në rajon, por mbetet shumë për të bërë për të përmbushur angazhimet që janë marrë.
Lidhur me zgjedhjet vendore të 3 nëntorit, Power u bëri thirrje votuesve në të gjithë Kosovën të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procesin demokratik. Ne, tha ajo, nxisim në veçanti komunitetet e pakicave, duke përfshirë serbët e Kosovës që të marrin pjesë dhe të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet. Duke votuar, tha zonja Power, ata kanë mundësi që jo vetëm të zgjedhin udhëheqësit e tyre, por edhe t’i mbajnë ata të përgjegjshëm.
Ambasadorja amerikane u bëri thirrje të dyja palëve të kapërcejnë dhunën e së kaluarës dhe të nxisin pajtimin ndërmjet komuniteteve në Kosovë. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e Kosovës për mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore. Fati i personave të zhdukur, tha ajo, është një çështje e rëndësishme dhe e pazgjidhur që kërkon vëmendje nga të gjitha palët.
Ajo deklaroi se Shtetet e Bashkuara duan që Kosova dhe Serbia të kenë sukses dhe varet nga njerëzit në Kosovë e Serbi, për të shfrytëzuar mundësitë e krijuara nga dialogu dhe për të hedhur themelet e një të ardhmeje të sigurt e të begatë.
Rusia tha të enjten gjatë debatit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ( KSKB) lidhur me raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki -Moon mbi Kosovën që zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë duhet të jenë neutral ndaj statusit dhe se një numër i madh i votuesve ka nevojë të jetë tregues i mirë në këto zgjedhje .
Ambasadori rus në OKB Vladimir Çizhov përshëndeti përpjekjet e Beogradi të investuara në organizimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat janë, sipas tij të një rëndësie kyçe.
Gjatë debatit për raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-Moon mbi Kosovën në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork të enjten , Mbretëria e Bashkuar dhe Franca i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës, që të vazhdojnë të bëjnë përpjekje për të zbatuar plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani.
Në seancën e KS të OKB- së mbi Kosovën , ambasadori i Britanisë së Madhe përgëzoi Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij serbë Ivica Daçiç mbi qëndrimin që solli me marrëveshjen në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e cila do të jetë e dobishme për të dy vendet në rrugën e tyre të integrimit evropian .
Ambasadori britanik në OKB tha se është me rëndësi jetike për zhvillimin e mëtejshëm së marrëveshjes së Brukselit dhe se ato duhen implementuar plotësisht. Ai vlerësoi hapat e marra nga të dyja anët , duke thënë se kryeministri serb Ivica Daçiç dhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi kanë treguar guxim të madh .
Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë dhe u bëri thirrje të gjithë “lojtarët” që kanë influencë të bëjnë gjithçka që munden për të siguruar një pjesëmarrje masive në zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë.
Përfaqësuesi i përhershëm i Francës në OKB i kërkoi gjithashtu Beogradit dhe Prishtinës për t’u siguruar që zbatimi i marrëveshjes është i përgjithshëm dhe për të treguar angazhimin e tyre për të bërë përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe të ardhmen e tyre evropiane .
Kina beson se shqetësimi i Beogradit mbi situatën e tanishme në Kosovë është i justifikuar dhe lavdëroi përpjekjet e Serbisë për të arritur zgjidhje të qëndrueshme përmes dialogut , duke theksuar se Rezoluta 1244 është e vetmja bazë ligjore për zgjidhjen e statusit të krahinës jugore serbe .
Argjentina, vendi i këtij muaji kryesues i Këshillit të Sigurimit, tha se përpjekjet e Serbisë dhe Kosovës për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre meritojnë një njohje të veçantë .
Këshilli i Sigurimit i OKB-së përgëzoi të dy palët – Prishtinën dhe Beogradin për angazhimin e tyre ndaj dialogut dhe progresin e bërë deri më tani dhe u kërkoi atyre që të bëjnë më shumë për forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe respektimin për të drejtat e njeriut në Kosovë. /Beqir Sina/a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





