Transmetuar më 30-08-2013, 02:26

Projeksioni i objektivave të një qeverie shpesh ndërvaret dhe nga motivet apo edhe prirjet e drejtuesit të saj. Për shumëkënd, prishja e ndërtimeve pa leje në bregdet si objektiv i parë i qeverisjes së re, është e lidhur me eksperiencën e trashëguar të Ramës si kryebashkiak ndërsa pastronte sheshin Rinia dhe vijëderdhjen e Lanës nga ndërtimet abuzive

Nga Plator Nesturi

Ndonëse optika e krijuar mbi prioritetet e qeverisë së re të socialistëve, mediatikisht është fokusuar mbi çështje të urbanistikës, ndërtimeve pa leje dhe fushatës së prishjes së tyre, afërmend është e kuptueshme se nuk do të jetë rezultati i kësaj nisme motivi për tu mburrur pas katër vjetësh përpara elektoratit për të kërkuar votën e përsëritjes së mandatit. Shqipëria është një thes me probleme, prej nga zgjidhja e secilit prej tyre ( padyshim e mirëpritur në çdo kohë e nga çdo forcë politike), mund të kërkojë energji e vullnet politik përtej një mandati të zakonshëm elektoral e konvergjencë jo vetëm të një kahu politik. Ndaj, në këtë qerthull problemesh të mpleksura, qoftë të trashëguara apo edhe të bëra lëmsh qëllimisht në këto vite nga ata që kanë drejtuar vendin, është e rëndësishme për një lider dhe një forcë të sapoardhur në pushtet, të japin imazhin se brenda kohës së mandatit që kanë në dispozicion, do të arrijnë të zgjidhin disa apo një pjesë së çështjeve në ngërç. Por ky imazh nuk mund të arrihet duke nxjerrë nga thesi i problemeve të parin që të zë dora e të cilin e paraqet si çelësin e suksesit. Projeksioni i objektivave të një qeverie shpesh ndërvaret dhe nga motivet apo edhe prirjet e drejtuesit të saj. Për shumëkënd, prishja e ndërtimeve pa leje në bregdet si objektiv i parë i qeverisjes së re, është e lidhur me eksperiencën e trashëguar të Ramës si kryebashkiak ndërsa pastronte sheshin Rinia dhe vijëderdhjen e Lanës nga ndërtimet abuzive. Kjo ka një të vërtetë brenda, por është shumë pak për ta bërë solid imazhin e një kryeministri që ka marrë përsipër transformimin e vendit. Në këtë sens, Ramës si kryeministër do t’i duheshin jo më klishe të vjetra por ide e opsione të reja. Para disa ditësh, kaloi si pa u vënë re nisma për të rregulluar dhe standartizuar gjuhën në dokumentet zyrtare. Kjo deklaratë e Ramës u përcoll me një buzëqeshje shpotitëse ( në një kohë kur vendi ka probleme shumë më serioze), por brenda saj kjo ide mund të shërbejë si shkak për dy nisma shumë më të gjera e shumë problematike në shoqërinë shqiptare: atë të një reforme për arsimin si dhe reforme në profesionalizmin e administratës publike. Një kryeministër si Rama, që dihet se ka mangësi formimi në fushën e ekonomisë, por që njihet për skrupolozitetin ndaj formës, të dyja këto reforma, jo vetëm do të ishin më pranë tij, por njëkohësisht edhe më të besueshme përballë një elektorati që e ka të përcaktuar një imazh për Ramën, për t’u përdorur si kalë beteje në procesin reformator që kërkon të përcjellë. Për më tepër që dhe çështjet e sipërpërmendura janë jo pak problematike. Arsimi dhe sidomos ai universitar, janë shndërruar në një ngërç që mbyll përspektivën e të ardhmes e që po shndërrohet në një pengesë për zhvillimin përderisa titujt e diplomat janë zhvlerësuar më shumë se letrat me vlerë. Mungesa e besueshmërisë së diplomave përcillet më tej tek administrata shtetërore, për të cilën nuk mungojnë tonet qaramane mediatike çdo katër vjet kur në pushtet vjen një forcë tjetër politike. E keqja e ndryshimeve në administratë qëndron jo thjesht tek këmbimi i stafit drejtues e një pjese të specialistëve ( pasi pjesa më e madhe e tyre as që e kanë merituar atë post), por në faktin se vendin e tyre do të jenë të tjerë “gdhënj” me teserë tjetër partikake që do ta zënë e do të paguhen nga taksat tona. Çështjet pra, mbeten serioze. Ato kërkojnë një zgjidhje dhe Ramës i shkojnë përshtat për t’u fokusuar tek to. Madje, dhe po të ngelej vetëm me kaq kontributi i tij për reforma, si rezultat do të mbetej gjithësesi i kënaqshëm. /Gazeta Impakt/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit