

Tiranë, 29 gusht 2013, NOA.al- Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili në një komunikim me mediat, reagoi lidhur me krimet që po ndodhin së fundmi në vend.
Sipas tij kriminaliteti dhe brutaliteti ka ngjallur shqetësim të qytetarët, për shkak të një shteti dhe ministrie përkatëse që mungojnë, çka ka bërë që qytetarët të ndihen të rrezikuar në mënyrë anormale nga veprime të karakterit tërësisht ordiner.
Vasili tërhoqi vëmendje për faktin që qeveria e cila është në ikje ka disa detyra dhe detyrime kushtetuese për të përmbushur, detyra të cilat tha ai qeveria e re do i plotësojë.
“Veprimi i djeshëm ka bërë të ndihen shumë njerëz keq, ku për një gërvishtje makine të humbet jeta. Ky banalitet dhe ky sherr ndodh në mes të një rruge të kryeqytetit shqiptar. Retorikat e një Qeverie që bën opozitën duke qenë në karrige të qeverisë duhet të marrë fund. Qytetarët nuk duan të dinë për problemet dhe dëshpërimet e një qeverie, por kërkojnë që ajo të bëjë detyrën për sa kohë që është në qeveri. Shoqëruar me premtimin që qeveria e re do të ketë një kontroll tjetër mbi territorin”, tha Vasili, citon Noa.al.
I pyetur lidhur me ndarjen e posteve të zv.ministrave ai tha se janë pozicione që propozohen nga Kryeministri dhe miratohen nga Këshilli i Ministrave, duke shtuar se do të plotësohen në javët në vijim, pas votëbesimit të qeverisë së re.
Sipas tij ndarja e këtyre posteve do të bëhet po me atë frymë bashkëpunimi dhe proporcionaliteti i cili do të ndiqet në çdo nivel qeverisje, bazuar edhe në kritere profesionale. /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





