



Tiranë, 28 gusht 2013, NOA.al- Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, u shpreh sot se opozita e re nuk do të lejojë cenimin e pavarësisë së institucioneve dhe kërcënimin e administratës së trajnuar me fondet e BE.
Deklarata e ministrit u bë sot në një takim me ambasadorin britanik, Nicholas Cannon, në përfundimin të detyrës si Ministër i Drejtësisë.
Z.Halimi tha se opozita do të jetë pas çdo projekti duke monitoruar ecurinë, për të siguruar vazhdimësinë e projekteve aq të domosdoshme për sistemin e drejtësisë.
“Maxhoranca e re ka kërcënuar administratën e trajnuar nga ana juaj me paratë e taksapaguesve britanikë dhe evropianë. Ne nuk do të lejojmë maxhorancën e re të prekë punonjësit e kualifikuar të Shërbimit të Provës dhe Monitorimit Elektronik”,- tha z.Halimi.
Ministri ngriti shqetësimin se maxhoranca e re po sulmon institucionet e pavarura. “Institucionet e pavarura janë thelbi i një shteti demokratik dhe ne do të jemi opozita më e fortë dhe mbrojtësit e tyre”, – siguroi z.Halimi.
Gjatë takimit, ministri aktual i Drejtësisë falënderoi ambasadorin britanik për mbështetjen e jashtëzakonshme në zhvillimin e projekteve të cilat të dy bashkëbiseduesit i konsideruan si histori sukses.
“Shërbimi i provës, reforma e jashtëzakonshme në sistemin burgjeve i kursen buxhetit të shtetit më shumë se 15 milionë euro në vit. Monitorimi elektronik, është një histori suksesi e cila e vendosi Shqipërinë në pozicionin e vendit lider në rajon për përdorimin e teknologjisë për të dënuarit”,- u shpreh ministri Halimi.
Ai vuri në dukje faktin se Britania e Madhe dha një ndihmë të jashtëzakonshme në realizimin e këtyre reformave të rëndësishme për sistemin e drejtësisë.
Nga ana e tij, ambasadori britanik vlerësoi lart bashkëpunimin me ministrinë shqiptare të Drejtësisë në realizimin e reformave në drejtësi duke e cilësuar këtë bashkëpunim si "ekzemplar" dhe si një model për t’u aplikuar me qeveritë e ardhshme.
“Ne nuk do të lejojmë që reformat e realizuara të bllokohen. Do të ishte shumë keq që puna e realizuar në Shërbimin e Provës të kthehej mbrapsht. Ju premtoj se do të ndjekim nga afër ecurinë e këtyre reformave që janë krijesë e juaja po aq sa edhe e jona”,-u shpreh ambasadori britanik.
Në këtë kuadër, z. Cannon vlerësoi si shumë të rëndësishme edhe ekspertizën që ekspertët e shërbimit të provës dhe monitorimit elektronik kanë marrë në Britaninë e Madhe.
Në takim u vlerësuan lart si marrëveshja e arritur me qeverinë britanike për transferimin e të dënuarve, ashtu dhe roli kyç që ka luajtur Ministria e Drejtësisë në përafrimin Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian. a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





