Transmetuar më 28-08-2013, 01:44

Qeveria e ardhshme që pritet të drejtohet nga kryesocialisti Edi Rama, ka vënë objektivat kryesore për 100 dhe 300 ditët e para të qeverisjes së re.

Durmus Yilmaz, ish-guvernatori i Bankës së Turqisë, sugjeron se për të pasur rezultate të mira duhen pasur disa kushte të domosdoshme, ku ai përmendi tre si më kryesore:

1-    Duhet një diagnozë e saktë e situatës

2-    Duke u bazuar te kjo situatë duhet edhe një recetë e mirë për sa u përket politikave që duhen ndjekur

3-    Zbatimi i këtyre politikave

Këto tre faza, z.Yilmaz tha se janë shumë të rëndësishme, por theksi se më e rëndësishmja është vënia në zbatim e politikave, që është në fakt edhe më e vështira.

“Nga sa kam kuptuar diagnoza është bërë në një mënyrë të atillë ku shihen disa probleme strukturore dhe siç dihet dhe siç e dimë edhe ne, problemet strukturore janë probleme afatgjata dhe kërkojnë ndryshime strukturore, ndërsa problemet e tjera konjukturore janë afatshkurtra, çka do të thotë se kur ndryshojnë kushtet ato zhduken”, – tha Ylmaz.

Ai vuri në dukje se kriza që po kalon ekonomia botërore dhe po ashtu efektet e kësaj krize në vendet fqinje dhe ato të Bashkimit Europian kanë një efekt të konsiderueshëm në ekonominë shqiptare, veçanërisht në problemin e punësimit.

Kurse shtoi edhe se shqiptarët që punojnë e jetojnë jashtë po dërgojnë më pak para në vend se më parë.

“Pra, ekonomia nuk merr më tashmë atë që merrte më parë. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të merren vendimet e duhura në kohën e duhur. Nuk duhet të ketë vonesa dhe duhet të ketë një diskutim përsa i përket këtyre problemeve”, – paralajmëroi z.Yilmaz.

Ai sugjeroi se duhen ulur kostot e ekonomisë dhe vijoi: “Duhet të keni kujdes për atë që kërkojnë njerëzit dhe çfarëdo që të bëni duhet të jetë e buxhetuar. Disiplina fiskale është kyçe për suksesin”.

Pohimet e z. Pagrotsky u bënë të martën gjatë Konferencës Ndërkombëtare “Shqipëria, Gjenerata Tjetër”, organizuar nga Partia Socialiste e cila pritet të marrë pushtetin në shtator. a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit