Transmetuar më 26-08-2013, 17:41

Tiranë, 26 gusht, NOA – “Sot është ditëlindja e shqiptares që na dha nder më shumë se kushdo tjetër, që na deshte shumë edhe kur nuk e deshëm, Nobelistes Nënë Tereza!”

Një kujtesë të tillë, kryeministri i vendit, Sali Berisha, e ka bërë publike në rrjetin social, Facebook, përmes një postimi të posaçëm.

“Ditëlindja e shqiptares më të famshme të të gjitha kohërave, gruas më të njohur të shekullit të saj, nobelistes Gonxhe Bojaxhi, Nënë Tereza e Kalkutës.

Kjo ditë, për ne shqiptarët dhe mbarë njerëzit e qytetëruar, është ditë mirënjohje ndaj asaj që u shenjtërua për së gjalli me titullin Nënë e mbarë njerëzimit”, citon gjithashtu Berisha.

Duke përfunduar se “Për Nënë Terezën, 25 prilli i vitit 1993, siç do të shprehej ajo vetë, ishte dita më e lumtur e jetës së saj, sepse ne së bashku pritëm në dheun tonë Papën Gjon Pali II në vizitën e tij të parë historike në Shqipëri dhe Ballkan”.

“Nderim të madh Nënë Terezës, bijës së kombit tonë që si shqiptare na dha nder më shumë se kushdo tjetër dhe të urojmë që Papa Françesko të shpejtojë shenjtërimin e saj. Nënë Tereza u nda nga jeta shenjtore e mbare njerëzimit!”, nnëvizon Berisha.  /e.t/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit