

Prishtinë, 26 gusht, NOA – “Ky Kuvend nuk ka legjitimitet politik për miratimin e planeve strategjike”.
Ky ka qenë mesazhi i përcjellë sot nga këshilltari i Lëvizjes Vetëvendosje, në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Sadri Ramabaja, lidhur me kundërshtimin e kësaj lëvizjeje mbi mënyrën e vendimmarrjes në Komunën e Prishtinës. Tri ditë më parë, reaguam lidhur me dy propozim-vendimet që sot Kuvendi në mbledhjen e rregullt të tij pretendon t` i shndërroj në akte nënligjore të obligueshme.
Siç dihet tashmë, me 3 nëntor 2013 mbahen zgjedhjet lokale. Pra, jemi jo më larg se 5 javë nga fillimi zyrtar i fushatës zgjedhore.
Qeverisja e Komunës së Prishtinës ka pasur mundësi së paku që 6 vite nën menaxhimin e kryetarit aktual, që të krijojë, hartojë dhe të zbatojë Plane Zhvillimore Komunale dhe Strategji për Zhvillim Ekonomik Komunal, duke u shndërruar në model të qeverisjes së mirë. Por ja që këtë nuk e ka bërë, pavarësisht premtimeve se këto dokumente bazë për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve të Prishtinës, do të hartoheshin e miratoheshin sipas premtimeve që në vitin 2011”, deklaroi ai.
Duke shtuar se Prishtina si qytet nën këtë qeverisje komunale, ka kohë që është shndërruar në peng të grupeve të ndryshme të interesit dhe të pronarëve të parcelave tokësore.
“Edhe në këto propozim-vendime që insistohet me çdo kusht të marrin formën e akteve nënligjore obligative dominon logjika e tregut e zhveshur nga çdo element i progresit ekonomik dhe drejtësisë sociale, për të mos folur për shije socio-estetike urbane”, përfundoi Sadri Ramabaja. /e.t/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





