Transmetuar më 26-08-2013, 14:09

Tiranë, 26 gusht, NOA – Fleta e votimit, për nga vetë përmbajtja e saj, është ndër të paktat materiale zgjedhore, që do të prodhohet specifikisht për zgjedhjet e pjesshme të datës 1 shtator 2013, në komunën Dardhas të qarkut Korçë dhe në Komunën Rrethinat të Qarkut Shkodër.

Kështu u shpreh sot gjatë një deklarate për shtyp, zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Drilona Hoxhaj.

Teksa shtoi se për këto zgjedhje të pjesshme, u përdor, për aq sa ishte e mundur baza logjistike e mbetur nga zgjedhjet e datës 23 qershor 2013.

“Natyrisht, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fillimisht miratoi specifikimet teknike të fletës së votimit, në përputhje me kërkesat e Kodit Zgjedhor, si  dhe përmbajtjen e këtyre fletëve”, sqaroi gjithashtu Hoxhaj.

Për të vijuar edhe me përmendjen e faktit tjetër se “për prodhimin e 20.000 fletëve të votimit që do të përdoren për këto zgjedhje, me fondin limit prej 200.000 lekësh pa TVSH, u zbatuan rigorozisht procedurat e prokurimit sipas kritereve ligjore, publikuar  në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik më datë 12 gusht 2013”.

“Ligji i prokurimit publik, ashtu si çdo ligj tjetër, ka në themel të tij parimin e barazisë, çka do të thotë që asnjë kompani nuk mund të përjashtohet apriori nga e drejta e konkurrimit.

Por janë kriteret e tjera ligjore, përmbushja apo respektimi i të cilave, përcakton faktin e kualifikimit apo jo të kompanive pjesëmarrëse në procedurë”, nënvizoi zëdhënësja e KQZ-së. /e.t/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit