Transmetuar më 25-08-2013, 20:18

Kakavijë, 25 gusht, NOA – Një tjetër rast i trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, është konstatuar sot nga Policia Kufitare e Kakavijës, teksa janë sekuestruar prej forcave të saj 4 pako me marijuanë.

Siç konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA prej tyre, gjatë kontrollit në vijën e dytë për në dalje për Greqi, të automjetit tip Volsvagen me targa  greke YKY 1936, që drejtohej nga 52-vjeçari Jorgo Frango, nga fshati Vrisera i Gjirokastrës, rezultoi se në brendësi të dyerve të pasme u konstatuan përkatësisht nga dy pako me lëndë narkotike në çdo derë, gjithsej 4 pako të mbështjella me letër natriban ngjyrë blu .

Menjëherë policia Kufitare e Kakavijës ka bërë shoqërimin e drejtuesit të mjetit dhe ka njoftuar grupin hetimor, teksa po vijojnë veprimet.

Ndërkaq, i arrestuari në flagrancë paraprakisht ka deklaruar se lëndën narkotike e ka blerë në Lazarat.

Kurse materialet në përfundim të veprimeve të para hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprën penale të “Trafikut ndërkombëtar të  lëndëve narkotike”. /e.t/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit