Transmetuar më 25-08-2013, 12:08

Tiranë, 25 gusht 2013, NOA – Partia Socialiste ka mbledhur në Tiranë 50 arkitektë, planifikues urbanë, ekonomistë nga vende të ndryshme të botës për të marrë pjesë në Konferencën me titull “Shqipëria e Gjeneratës së Re”. Konferenca do të zhvillohet nga PS në datat 26 dhe 27 gusht 2013 dhe do të ketë si qëllim dhënin e ideve për zhvillimin urban dhe ekonomik të vendit. Kreu i PS-së dhe kryeministri i ardhshëm, Edi Rama ka bërë publike një pjesë të axhendës së aktivitetit.

Në rrjetin social Facebook, Rama shprehet se dita e parë e konferencës do ti kushtohet tërësisht territorit, ndërsa në ditën e dytë debati do jetë tërësisht ekonomik.

“Arkitektë e planifikues urbanë të shquar botërisht po zhvillojnë një vizitë studimore dy ditore në hapësira e godina publike në Tiranë e jashtë saj, përpara konferencës “Shqipëria e Gjeneratës Tjetër” që mbahet në hotel Sheraton nesër e pasnesër. Dita e parë do t’i kushtohet territorit dhe e dyta ekonomisë, ku do marrin pjesë ekonomistë, financierë, menaxherë të shquar me eksperiencë e njohje ndërkombëtare”,- shkruan Rama.

Të shoqëruar nga ministrja e ardhshme e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, si dhe arkitektë e specialistë të fushës së urbanistikës dhe trashëgimisë kulturore, pjesëmarrësit në këtë konferencë kanë zhvilluar një tur vizitash në disa nga pikat më të rëndësishme me interes arkitekturor dhe historik të kryeqytetit. Ata janë njohur me historikun e këtyre ndërtimeve e bashkë me to edhe të historikun e zhvillimit urbanistik të Tiranës.

Sipas PS, konferenca "Shqipëria e Gjeneratës tjetër", do të fokusohet në ndërtimin e një vizioni të ri për një zhvillim të qëndrueshëm urban dhe formësimin e një modeli të ri ekonomik për një zhvillim të qëndrueshëm. Synimi është të grumbullohen  eksperienca të suksesshme ndërkombëtare në mënyrë që të gjenden zgjidhjet më të mira për sfidat madhore me të cilat përballet Shqipëria. 32 prej pjesëmarrësve në këtë konferencë janë arkitektë dhe urbanistë me përvojë në arenën ndërkombëtare. Për herë të parë zhvillohet një konferencë e tillë, në këtë formë, ku fillimisht specialistët më të njohur të fushës në zhvillimin urban njihen drejtpërdrejtë me realitetin, duke e parë dhe prekur vetë atë e më pas ata do të japin rekomandimet e tyre në një konferencë të zgjeruar.

Ministrja e ardhshme e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni gjatë këtij turi është shprehur për mediat:“Ne jemi me një grup prej 32 arkitektësh dhe planifikuesish urban nga e gjithë bota. Kam kënaqësinë të them që janë një grup ekspertësh shumë të njohur në botë që kanë përvoja dhe karriera profesionale të shkëlqyera. Jemi vërtet shumë të kënaqur që ata janë sot me ne dhe për të na dhënë këndvështrimin e tyre, përvojën e tyre, angazhimin e tyre dhe karrierën profesionale sesi konkretisht Shqipëria mundet që sfidat e zhvillimit urban, sfidën e madhe të planifikimit të territorit mund ta realizojë me sukses për një zhvillim më të mirë ekonomik dhe social, për një zhvillim që t’i vlejë qytetarëve.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit