Transmetuar më 25-08-2013, 09:30

Shkup, 25 gusht 2013, NOA.al – Maqedonia po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas krizës së thelluar politike midis partive më të mëdha.

Problemet janë thelluar lidhur me ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit të kaluar në Parlamentin e vendit, ku partitë më të mëdha maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM përmes negociatave maratonike nuk arritën që të miratojnë një raport të përbashkët me konkluzat për zbardhjen e këtij 24 dhjetori, që ishte edhe një kusht i vendosur nga Bashkimi Evropian dhe që do të përfshihet në raportin e progresit të tetorit të Komisionit Evropian, si pjesë e dialogut politik.

Pas dështimit të negociatave dhe mungesës së zgjidhjes për zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit, kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE dje doli me propozimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me 13 tetor. Këto zgjedhje sipas tij, do të duhej të mbaheshin para 16 tetorit, kur duhet të publikohet raporti i KE-së për Maqedoninë dhe përmes së cilit vendi do të ballafaqohet me mundësinë e marrjes së rekomandimit si vend kandidat për anëtarësim në BE.

Gruevski ka thënë se deri të hënën ose duhet të miratohet raporti për 24 dhjetorin, ose të shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe të hënën të shpërndahet Parlamenti.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) si parti më e madhe opozitare sot pritet të shprehë qëndrimin lidhur me propozimin e Gruevskit. Kjo parti dje para fjalimit të Gruevskit për zgjedhjet, theksoi se është kundër mbajtjes së zgjedhjeve siç i quajti kriminale që do të organizoheshin nga pushteti aktual, pa ndryshuar Kodin zgjedhor  dhe pa pastruar listat  e votuesve.

Një qëndrim të qartë sot pritet të shprehin edhe partitë më të mëdha shqiptare BDI dhe PDSH. Partia shqiptare në pushtet BDI pritet sot të deklarojë qëndrimin e saj në një konferencë me mediat, dhe se jozyrtarisht mësohet se ajo është kundër propozimit për zgjedhje të parakohshme. Nga ana tjteër, një qëndrim politik pritet të vjen edhe nga partia më e madhe opozitare shqiptare PDSH.

n.p/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit