

I gjithë debati i derisotëm për “pushtimin” e godinës së SHQUP-it nga Partia Demokratike nuk ka asnjë dimension moral e aq më pak ndonjë element juridik për të ashtuquajturën vendimmarrje administrative. Është thjesht dhe vetëm politik. Ndaj edhe nuk ia vlen aspak të shpjegosh arsyet teknike për ligjshmërinë e aktit, kur dihet botërisht se cilat janë mënyrat për të hedhur poshtë një VKM.
Nga Astrit Patozi
Më tepër se koncepti primitiv i projekt-qeverisë së Edi Ramës për kundërshtarin politik, duket si një paradhënie publike, se opozita e nesërme është shndërruar që tani në makthin e Kryeministrit të ardhshëm. Se një qeveri “pa letra”, që po ngutet të marrë pushtetin, duke bërë mbledhje një muaj para afatit kushtetues, nuk mund ta fillonte kurrë punën me “letrat” e zyrave të kundërshtarit politik. Në këtë kuptim, ne si demokratë duhet të ndihemi të nderuar nga ky debat, pavarësisht shijes së keqe që lënë shpifjet e ulëta dhe përbaltja e figurave të larta shtetërore nga makina e vjetër e propagandës së Partisë Socialiste. Nëse qeveritë e Sali Berishës do të kishin synim plaçkën dhe pasuritë e patundshme, nën siglën e PD mund ta kishin bërë këtë me lehtësinë më të thjeshtë në këto 8 vite. Askush nuk do të priste ditët e fundit të mandatit për të marrë një vendim, i cili në thelbin e vet ka vetëm një qëllim, t’i sigurojë një ambient të përshtatshëm pune partisë kryesore të opozitës. Por atëherë, pse jo më parë, dhe përse tani? Aspak nga frika e shpërthimit të “skandalit”, që mund t’i jepte një armë më shumë opozitës së deridjeshme të Edi Ramës. Sepse nuk do të kishin bërë më shumë se kaq shpifësit “e licencuar” disa herë nga gjykatat shqiptare, që flasin sot për llogari të Kryeministrit shtatanik. Por për faktin e thjeshtë se një parti në maxhorancë i zhvendos njerëzit dhe ambientet e punës kryesisht në godinat e qeverisë. Kjo është gjëja më normale dhe do të ishte luks i tepërt që Partia Demokratike në pushtet të kërkonte zgjerim të ambienteve të saj të punës, ndërkohë që burimet e saj njerëzore ushtronin detyrën në Ministri, agjenci dhe institucione të tjera të vendit. Ndërsa tani gjithçka ndryshon, ndaj edhe vendimi është sa i përligjur juridikisht, aq edhe në kohën e duhur. Dhe kjo vlen për të gjitha palët, sigurisht edhe për publikun, që do të dijë të vërtetën e këtij debati. Nëse gjithçka në këtë vend do të ishte në proporcion me dinjitetin dhe meritën për të vlerësuar një institucion, Partia Demokratike duhet të gëzonte prej kohësh godinën më të bukur dhe më madhështore që ky shtet do të kishte në dispozicion. Sepse Partia Demokratike është jo vetëm aset kombëtar, por mbi të gjitha është krenari kombëtare. Por le të mos zgjatemi shumë me këtë argument, sepse do të paragjykoheshim si në konflikt interesi, ndonëse te historia e Partisë Demokratike e gjen dhe duhet ta gjejë veten çdo shqiptar. Ajo që të gjithë duhet të dinë pas këtij debati, është se forca e Partisë Demokratike nuk qëndron te godina e saj, por te vlerat dhe parimet pas të cilave ajo qëndron. Ose më thjesht, te burrat dhe gratë, që i përfaqësojnë këto vlera dhe parime. Të cilët, sigurisht që do të bënin të njëjtën punë dhe me të njëjtin pasion, si po t’i çoje godinën e Pentagonit, ashtu edhe po të mos kishin zyra fare. Sepse të merresh sot me godinën e Partisë Demokratike, e cila po u pasuruaka pas transferimit (a thua se do të marrë njeri me vete në shtëpi ndonjë copë SHQUP-i), është njësoj si të thuash se MICROSOFT-i e ka vlerën e tij te qiellgërvishtësi, ku janë vendosur zyrat qendrore të kompanisë gjigante. Është thënë jo pak herë se Partia Demokratike opozitën e ka në ADN-në e saj, jo thjesht sepse ka lindur si forcë e tillë në ‘90-n. Është pikërisht ky halli që e ka zënë maxhorancën e re, e cila ende pa shkuar në godinat e saj “me letra”, po përpiqet që të kapë në faj opozitën e ardhshme. Është pikërisht ky meraku i Edi Ramës, i cili sot po kërkon një argument për të pasur një vatër konflikti me Partinë Demokratike, ende pa mbërritur në zyrën e vet, kaq shumë të ëndërruar. Duke treguar se platformë e qeverimit të tij nuk do të jetë llogaridhënia për premtimet e fushatës dhe programin, por mbajtja e pushkës thep-shqekëz në drejtim të opozitës. Por sigurisht që kjo neve as na bën përshtypje dhe as nuk na komplekson. Përkundrazi, na motivon më shumë. Partia Demokratike do ta bëjë njësoj opozitën si në godinën e SHQUP-it, e cila për hir të së vërtetës i rri ngushtë, por edhe sikur në një çadër ushtrie, të ishte e detyruar të qëndronte përkohësisht (Natyrisht, jo në çadër greve urie, sepse as na shkon në mend ai model i shëmtuar i të bërit politikë). Le të flasin ata për muret (godinën) dhe me muret tona, ne do të merremi me ata vetë, me Edi Ramën, me qeverinë e tij, me çdo paudhësi, çdo mashtrim, çdo skandal, çdo aferë të tyre. Përditë dhe me vendosmëri. Deri në fitoren e afërt.
"Panorama"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





