Transmetuar më 23-08-2013, 16:20

Arkimed Lushaj, i njohur nga të gjithë si Stresi, është një nga këngëtarët më të përfolur në Shqipëri, mjaft i njohur për këngët e shumta që ai krijon, ku me dy të fundit “Lambo” dhe “Love Story”, ka arritur një sukses goxha të madh. Gjithashtu, edhe këngët e shumta me ‘BabaStars’ e kanë ngritur atë në skenën e muzikës shqiptare…

Intervistoi: Kristjan Gj. Dukaj (Mal i Zi) 

Përshëndetje Arkimed, faleminderit që pranuat të jeni pjesë e kësaj interviste. Ju lutem, për të gjithë fansat tuaj, a mund të na tregoni se sa e vështirë është jeta e një reperi si ju?

– Jeta e një reperi si unë s’është aspak e vështirë tani, më parë ka qenë pak e vështirë, por tash s’asht ma…

Kur keni qenë adoleshent, ka qenë ëndrra juaj të jeni këtu ku jeni sot?

– Që i vogël, preferoja të bëhesha një këngëtar i madh dhe klas për të gjithë njerëzit në Shqipëri që e dëgjonin muzikën hip-hop.

Lambo? Kënga që e bëri Stresin shumë të njohur. Sa i kënaqur jeni me këtë këngë?

– Këngë super që më pëlqeu shumë dhe mbeta shumë i kënaqur që Flor Mumajesi më bëri një këngë super, ashtu siç e desha unë.

Përse vendosët të bashkoheni në një label si ‘BabaStars’?

– Sepse atje bëjnë pjesë shumë këngëtarë të mirë dhe të dëgjueshëm në repin shqiptar, si Getoar Selimi, Visar Shala, Cozman, Tuna, Tds etj, prandaj u bashkova me ta dhe do ishte turp me refuzu një grup labeli si ‘BabaStars’.

Sa ju ka ndihmuar anëtarësimi në këtë grup, për ta zmadhuar famën tuaj?

– Anëtarësimi në këtë grup më ka ndihmuar shumë, sepse aty e ndieja veten si në shtëpinë time dhe bashkëpunimet me ta ishin super dhe jo për ta zmadhuar famën time.

Mendoni që kënga “LoveStory” është kënga juaj më e mirë deri më tani?

– Po vërtet, “Love Story” është kënga ime më e pëlqyer tani për tani, por premtoj që do kem dhe super-bashkëpunime të tjera si me Fjolla Morinën “tym-tym“, me klip që do regjistrohet në Prishtinë dhe shumë hite të tjera që do bëjnë bujë në repin dhe hip hop-in shqiptar.

Elvana Gjata apo Tuna?

– Elvana Gjata.

Mendoni që fansat ju adhurojnë si Artist apo si ‘bad boy’?

– Unë mendoj që ata më adhurojnë edhe si artist, edhe si ‘bad boy’.

Çfarë bëni në kohën tuaj të lirë?

– Kohën e lirë e ndaj me miqtë e mi (këngëtarë, shokë, miq dhe familjarë të mi).

 

Jeni adhurues i leximit të librave të ndryshëm?

– Po, leximi i librave më pëlqen shumë dhe shpeshherë lexoj.

 

E keni vizituar ndonjëherë Malin e Zi?

– Nuk e kam vizituar ndonjëherë, po ju premtoj që do jem shumë shpejt tek ju.

 

Kur mund të presim një koncert nga ju në këto treva?

– Mund të prisni një koncert nga unë shumë shpejt në trevën e tuaj, jua premtoj.

Faleminderit shumë për intervistën.

– Kristjan, ishte kënaqësi e imja t’u përgjigjesha pyetjeve tuaja.

/k.d/ /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit