Transmetuar më 23-08-2013, 14:24

Shkup,  23 gusht/NOA.al – Në Strugë mbrëmë u hap festivali i 52-të ndërkombëtar i poezisë  "Mbrëmjet Strugane të Poezisë".

Por edhe ky festival ka nxjerrë në sipërfaqe problemet ndëretnike në Maqedoni, midis dy bashkësive më të mëdha etnike shqiptarëve dhe maqedonasve.

Problemi është anashkalimi i përdorimit të gjuhës shqipe dhe ky shqetësim është paraqitur nga kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela, i cili bojkotoi festivalin, për këtë shkak.

Në ceremoninë e hapur mbrëmë kanë munguar edhe shumë poetë dhe personalitete publike dhe institucionale shqiptare. Ndërsa nga zyrtarët shtetëror ka qenë vetëm ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska – Milevska.

Ajo i është shmangur problemit të ngritur nga komuna dhe bojkotimit të festivalit, duke nënvizuar se ky festival është për ofrimin e kulturave dhe afirmimin e vlerave të përbashkëta shumë-kulturore.

“Do të dëshiroja që nga Struga, seli botërore e poezisë, të ndërtojmë një urë të shpirtësisë dhe bukurisë e cila do t’na lidhë me tërë botën. Siç thotë laureati ynë Mateja Matevski, poezia le të jetë e hapur në misionin e vet, krejtësisht e lire dhe e hapur para fjalës që e krijon dhe që e krijon atë, si shprehje kulminante e shpirtit të njeriut”, theksoi ajo.  Por, autoritetet komunale theksuan se drejtoria e këtij festivali duhet të përdorë gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase, pasi që gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në komunën e Strugës, të banuar me mbi 60 për qind popullatë shqiptare. Kryetari i komunës, Ziadin Sela kërkoi të që respektohet gjuha shqipe dhe ligji për përdorimin e saj në këtë komunë. Ai nuk përjashtoi mundësinë që në të ardhmen të ndërmarrë masa që të pengojë mbajtjen e këtij festivali, në rast se nuk respektohet gjuha shqipe.

Në këtë festival ka pasur edhe një numër simbolik të poetëve shqiptarë, ku siç bëhet e ditur janë thirrur nga një poet nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.  Në këtë përvjetor të këtij festivali, poeti meksikan Jose Emilio Pacheto është shpallur fitues i çmimit “Kurora e artë”.  /n.p/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit