

Tiranë, 23 gusht, NOA – Sipas Meteoalb, gjatë paradites territori shqiptar do të dominohet nga kthjellime dhe vranësira kalimtare në zonat jugore, ndërsa veriu dhe qendra paraqiten me vranësira më të dendura të cilat do të rrezikojnë këto zona nga shira të përkohshëm, më të mundshme në veri-veriperëndim.
Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me kthjellime dhe vranësira të lehta në zonat Jugore ndërsa do të ketë largim gradual të vranësirave nga zonat Veriore dhe Qendrore. Kurse orët e pasdites dhe mbrëmja, do të sjellin dominim të motit të kthjellët thuajse në të gjithë territorin.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie me rreth 2-3 gradë si në vlerat e mëngjesit, ashtu edhe gjatë orëve të mesditës.
Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe mesatare në det, duke arritur shpejtësi maksimale deri 36 km/h nga drejtimi Perëndimor-Veripërëndimor, për pasojë në det do të gjenerohen dallgë deri në 4 ballë.
Evropa
Brigjet veriperëndimore të kontinentit evropian dhe rajoni i Balltikut do të vijojë në kushtet e stuhive të erës dhe shirave të konsiderueshëm. Këto kushte gradualisht do të hyjnë në brendësi të territorit, në veriperëndim të Evropës. Po ashtu, zona e Alpeve të Evropës dhe vendet përreth, do të mbeten me vranësira dhe shira të dendur për shkak të fuqizimit të qendrës ciklonare mbi Alpet Evropiane.
Jugperëndimi, një pjesë e Qendrës si edhe e gjithë Evropa Lindore do të vijojnë në kushtet e motit të kthjellët dhe temperaturave të larta. e.t/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





