

Prishtinë 23 Gusht 2013 NOA.al – Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar punën e doganave. Sipas tyre, prej të dhënave të doganave shihet se kriza po thellohet.
LDK shprehet në një deklaratë për mediat se doganat kanë mbledhur 15 milionë euro më pak krahasuar me planin. Sipas këtij subjekti, nëse vazhdohet me të njëjtin ritëm, të ardhurat për këtë vit do të përmbylle me 36 milionë euro më pak vetëm nga doganat . “LDK vlerëson se Kosova po funksionon sikur nuk ka qeveri. Asnjë mbledhje qeverie apo e ministrive të resorëve ekonomik nuk po e adreson këtë çështje. Dikasteret qeveritare janë paralizuar dhe në plot raste zyrtarët nuk deklarohen fare me arsyetimin se ministrat janë në pushime”, thuhet në komunikatën e LDK-së
Ata kanë shtuar se vendit i duhet urgjentisht një plan për përballimin e krizës. Kritikat e tyre nuk kanë shkuar vetëm në drejtim të qeverisë por edhe të partnerëve qeverisës.
“Zëvendëskryeministri Pacolli duhet të pranoi se nuk do të realizohen planet e tij për mijëra vende të reja pune. Ai mund të vazhdoi të akuzoi shefin e tij në qeveri se nuk i ka krijuar hapësirë të nevojshme. Por, Pacolli duhet t’iu kërkojë falje qytetarëve të cilët para tri viteve i mashtroi nga ‘planet e tij madhështore’”, thekson LDK./t.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





