

Vlorë, 22 gusht 2013, NOA- Ambasadorja e Republikës Çeke në Tiranë, Bronislava Tomasova deklaroi sot se mazhoranca e re dhe opozita duhet të vendosin interesat e vendit mbi ato politike dhe personale. Deklarata e saj u gjatë takimit me të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim në Akademinë Verore për Politikën në Jalë.
Diplomatja çeke u shpreh se Shqipëria do të mbështet në procesin e integrimit të vendit në BE dhe shtoi se pritmshëritë për qeverinë e re janë shumë të larta. “Politikanët shqiptarë e kanë marrë tashmë vendimin për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Është shumë e rëndësishme që politikanët të kenë parasysh një parim kudo qofshin ato. Qofshin në qeveri apo qofshin në opozitë ata duhen të marrin vendime që vënë interesat e procesit të integrimit mbi çdo lloj interesi tjetër personal”, tha Tomasova.
Ajo ka folur dhe për nevojën e reformave të shpejta dhe efektive për të hedhur bazat për një të ardhme më të mirë për vendin. “Ne kemi pritshmëri shumë të larta nga qeveria e re, por duhet të jemi realistë dhe duhet të pranojmë që situata ekonomike në vend nuk është shumë e lehtë kështu që nuk mund të presim që të ketë ndryshime të mëdha brenda një kohe shumë të shpejtë. Reformat duhet ndërmarrë tani që të shohim efektet e tyre pas disa kohësh. Por kjo do të thotë se do të hidhen bazat për një të ardhme më të mirë për vendin”,- vijoi ambasadorja çeke.
Ajo shtoi se një pjesë e reformave janë përmbushur, por duhet më shumë për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Ne si ndërkombëtarë do të jemi përkrah Shqipërisë për të asistuar vendin në këtë proces dhe pritshmëria jonë është e lartë, sepse ne presim që qeveria të vazhdojë të punojë fortë për të përmbushur ato kritere që kanë mbetur pa u realizuar nga ato të përcaktuara tashmë nga Bashkimi Evropian në rrugën drejt integrimit. Këto janë ato kushte që janë vendosur për të nisur negociatat për statusin. Disa prej tyre ju i keni përmbushur siç janë realizimi i zgjedhjeve demokratike, por ka disa fusha ku Shqipëria duhet të bëjë progres si për shembull sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe gjithashtu lufta kundër krimit të organizuar”,- tha Tomasova.
Ambasadorja e Republikës Çeke shpjegoi se më i rëndësishëm është procesi i përgatitjes për t’u bërë vend anëtar dhe i negociatave, periudhë gjet të cilës Shqipëria do të përfitojë më shumë sipas saj. “Nuk është aq e rëndësishme se kur bëhesh anëtar i BE-së me të drejta të plota, por është më i rëndësishëm procesi i parapërgatitjes për t’u bërë anëtar, një proces që rrit standardet e vendit, shtoi ajo. Do të ishte një parashikim më shumë se optimist nëse themi se Shqipëria do të bëhet një vend anëtar në BE brenda katër viteve të ardhshme, por sa më shpejt që të nisni negociatat për anëtarësimin do të vini re se impakti dhe efektet do të jenë shumë të prekshme në jetën e përditshme për secilin prej jush. Nuk ka rëndësi a quhesh vend anëtar apo jo, rëndësi ka nëse kanë filluar negociatat dhe implementimi i kapitujve”-, tha Tomasova.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





