

Tiranë, 22 gusht 2013, NOA – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Cannon. Gjatë takimit, Cannon i uroi Bashës zgjedhjen si Kryetar i Partisë Demokratike dhe i ka dorëzuar mesazhin e urimit të Ministrit anglez për Europën David Lidington.
Në mesazhin e tij ministri Lidington shpreh urimet për zgjedhjen e Bashës në krye të PD-së dhe i uron atij suksese. “Dëshiroj të shpreh kënaqësinë time, që pata mundësinë t’ju takoja në darkën e organizuar në Guildhall në Maj, pasi ju kishit marrë titullin “Qytetar i Lirë” i Londrës. Dëshiroj t’ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si Lider i Partisë Demokratike. Marrja e lidershipit në këtë moment historik për partinë dhe vendin tuaj është nder, por gjithashtu edhe një sfidë”,- shprehet Lidingotn.
Ministri Lidington shprehet se opozita është e rëndësishme për të mbajtur qeverinë nën kontroll dhe për të dhënë alternativa. “Opozita parlamentare mund të luajë një rol kyç, në një demokraci moderne, në njërën anë duke e mbajtur qeverinë nën përgjegjësi dhe duke ofruar alternativa dhe nga ana tjetër duke punuar për një konsensus konstruktiv, aty ku është interesi kombëtar”,- shprehet Lidington.
Më tej, ministri anglez shprehet se pret “me kënaqësi bashkëpunimin tonë në të ardhmen, për të bërë Shqipërinë akoma edhe me shumë, një pjesë të familjes evropiane dhe aleancës euro-atlantike”.
Gjatë takimit mes kryetarit të PD Lulzim Basha dhe Ambasadorit Britanik Nicholas Cannon u diskutua për zgjedhjet e 23 Qershorit, procesit te anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe përgatitjet e PD për një opozitë të forte e konstruktive në shërbim të interesit publik.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





