

Tiranë, NOA.al- Sipas MeteoAlb, deri në mesditë territori shqiptar paraqitet me kthjellime dhe vranësira kalimtare, vranësira më të dukshme do të ketë në zonat jugore. Në mesditë, vranësirat do të zhvillohen në jug-jugperëndim dhe për pasojë në këto zona do të bien shira afat-shkurtër.
Pasditja do të dominohet nga kthjellime dhe vranësira kalimtare në pjesën më të madhe të vendit ndërsa vranësira dhe shira të karakterit lokal do të ketë në zonat Jugperëndimore. Duke iu afruar mbrëmjes, vranësirat do të largohen edhe nga zonat jugore duke e lënë territorin shqiptar nën dominimin e kthjellimeve.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë me 1- 2 gradë në të dy vlerat ekstremale, më e ndjeshme rënia e temperaturave do të jetë në Qendër dhe Jug të vendit.
Era do të vijojë të fryjë kryesisht mesatare, me shpejtësi deri 35 km/h nga drejtimi Verior – Veriperëndimor duke bërë që në det të ketë dallgëzim deri në 4 ballë.
Europa
Gjatë së enjtes, do të vijojë ndikimi i qendrave ciklonare në Europën Jugore dhe për pasojë gadishulli Apenin dhe pjesërisht Ballkani do të mbeten me vranësira dhe herë pas here me rrebeshe shiu. Po ashtu, me vranësira dhe stuhi të forta ere paraqiten kushtet meteorologjike në Ishujt Britanikë dhe vendet e Balltikut.
Sërish pjesa më e madhe e kontinentit Europian do të vijojë me mot të kthjellët dhe temperatura të larta, si pasojë e vendosjes së dy qendrave të presionit të lartë atmosferik në Perëndim dhe Verilindje të Europës. /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





