

Tiranë, 21 gusht 2013, NOA- Mbledhja e kabinetit të qeverisë së ardhshme të PS-së në Vlorë, është komentuar me humor nga kryeministri Sali Berisha. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri ka folur për vendimet që do të miratohen, duke u ndalur në disa prej tyre.
Ai ka vlerësuar si mjaft të rëndësishëm vendimin bashkëpunimin ekonomik financiar mes Shqipërisë dhe BE. Kryeministri ka folur dhe për disa vendime mbi investimet gjermane në fushën e ujësjellësve. “Vetëm ujësjellës janë investuar këto vite 150 milionë euro. Por janë investuar shumë më shumë në aspekte të tjera të infrastrukturës ujore. Gjermanët kanë dhënë këto 20 vite ndihmën më të madhe”,- u shpreh Berisha.
Në fund të mbledhjes, Berisha ka folur dhe për mbledhjen e kabinetit “Rama” në Vlorë, duke u kërkuar gazetarëve të ndjekin atë, por të marrin dhe rrobat e banjës me vete. “Ka dhe disa vendime të tjera, por nuk do të zgjatem, se ju këshilloj të niseni për në Vlorë, por mos harroni merrni dhe rrobat e banjës”,- u shpreh kryeministri Sali Berisha.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





