

Shkup, 19 gusht 2013, NOA.al – E premtja e kësaj jave është afati përfundimtar për arritjen e një marrëveshje për raportin e komisionit anketues për zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit të vitit të kaluar.
Ky vlerësim ka dalë nga takimi i sotëm midis kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski dhe liderit të partisë më të madhe opozitare maqedonase LSDM, Zoran Zaev.
Ata kanë theksuar se pas 23 gushtit është e kotë të arrihet marrëveshje për ngjarjet e 24 dhjetorit, pasi ky proces do të përfshihet në raportin e vjeshtës të Bashkimit Evropian lidhur me vlerësimin e progresit demokratik në Maqedoni.
Dy liderët politik në takimin që ka zgjatur për një orë kanë diskutuar lidhur me zhbllokimin e dialogut politik si dhe arritjen e pajtueshmërisë për raportin e komisionit për ngjarjet e 24 dhjetorit.
Në kumtesën e përbashkët të publikuar pas takimit, theksohet se Gruevski dhe Zaev kanë diskutuar në periudhën e ardhshme të bëhen përpjekje për intensifikimin e procesit të dialogut dhe miratimin e një zgjidhje përfundimtare rreth Raportit të Komisionit si përpjekje e fundit për arritjen e marrëveshjes. Ata kanë shprehur shqetësimin e përbashkët se mungesa e marrëveshjes do të përkeqëson perspektivat evropiane të Maqedonisë.
n.p/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





