

Prishtinë 19 Gusht 2013, NOA-Në fund të kësaj jave merret vendimi për ambasadorin e Kosovës në Shqipëri Sylejman Selimi dhe të tjerët në rastin e quajtur “Grupi i Drenicës”. Pas vendimit të Gjykatës do të dihet nëse ato do të vazhdojnë të jenë të paraburgosur ose do të lihen të lirë..
“Deri më datën 23 të këtij muaji gjykata duhet të marrë një vendim, t’i lirojë të gjithë të akuzuarit ose tua vazhdojë paraburgimin. Në këtë datë atyre u skadon afati i paraburgimit. Varet nëse prokurori bën kërkesë për vazhdim të kësaj mase ose jo. Pas kësaj është Gjyqtari i procedurës paraprake që sjell një vendim për Selimin dhe të tjerët”, ka thënë Tomë Gashi, avokati mbrojtës i Selimit.
Ndërkaq, megjithëse ndodhet në paraburgim dhe vendimi final nuk është marrë, Sami Lushtaku është i kandiduar nga partia e tij, PDK-ja për kryetar të Skenderajt, post në të cilin është i emëruar aktualisht.
Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi dhe Avni Zabeli ndodhen në paraburgim qysh prej 23 qershorit të këtij viti me vendim të Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Ata akuzohen se kanë kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.
t.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





