

Kakavijë, 19 gusht 2013, NOA.al- Policia kufitare e Kakavijës nën drejtimin e drejtorit të kufirit Admir Abrija, ka organizuar tre operacione gjatë orëve të natës së lënë pas por edhe në orët e para të mëngjesit duke çuar në ndalimin e 55 klandestinëve nga Pakistani dhe Afganistani.
Burime zyrtare nga policia i thanë Agjencisë së lajmeve Noa.al se operacioni i parë u zhvillua poshtë fshatit Peshkëpi ku u zbuluan dhe ndaluan 16 klandestinë.
Operacioni i dytë i uniformave blu u shtri në Vrisera ku u zbuluan dhe ndaluan 21 klandestinë, ndërsa operacioni i tretë u zhvillua poshtë Kakavijës ku u zbuluan 18 klandestinë.
Ashtu si dhe në rastet e mëparshme edhe 55 klandestinët e huaj që u kapën orët e fundit, nën ndërmjetësimin e korrierëve shqiptarë, përdornin vendin tonë si shtet tranzit për të kaluar drejt vendeve të tjera të bashkimit Europian. /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





