

Orë deçizive për transferimin e Etrit Berishës te Lacio. Pas një kalvari të gjatë në këtë merkato vere, për të ardhmen e portierit të kombëtares më në fund duket se do të marrë zgjidhje e ardhmja e tij.
Drejtuesit e Kalmarit dhe ata të Lacios do të takohen në orët në vazhdim për të mbyllur marrëveshjen mes tyre për kalimin e Berishës në kryeqytetin italian.
Lajmi raportohet nga faqja ndërkombëtare e transferimeve, transfert.com, sipas së cilës palët po nxitojnë të gjejnë gjuhën e përbashkët lidhur dhe me faktin që janë ditët e fundit në tregun e shit-blerjeve.
Vetëm pak ditë më parë Berisha pranoi për emisionin kuqezi të Supersport, se ka biseduar me Igli Taren dhe kalimi i tij në “Olimpico” duhet të jetë thjesht çështje ditësh.
Drejtuesit e Kalmar gjithashtu janë të predispozuar për të arritur një akord pasi duan dhe të përfitojnë nga kalimi i tij në Serinë A.
Në janar portierit i përfundon kontrata me klubin suedez. Berisha fillimisht u përfol për një transferim të mundshëm te skuadra tjetër e Serisë A, Chievo, me të cilën pranoi se kishte nënshkruar një parakontratë, por marrëveshja nuk u mbyl.
Berisha nisi bisedimet me Lacion, ku aktualisht drejtor sportiv është shqiptari Igli Tare, i cili ka qënë personi kryesor që ka insistuar për afrimin e gardianit kuqezi, aq më tepër që përflitet dhe një largim i mundshëm i portierit të dytë të kombëtares italiane.
Te Lacio gjithashtu aktivizohen dhe dy shqiptarë të tjerë, Lorik Cana dhe Tomas Strakosha, që është portieri i tretë i skuadrës, transmeton Supersport.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





