





Nju Jork, 17 gusht 2013, NOA- Një shqiptar 45-vjeçar, që punonte si menaxher në “New York Athletic Club” (NYAC) është paditur për abuzime seksuale në vendin e punës.
NYAC është zinxhiri më i njohur i palestrave dhe klubeve të përgatitjes fizike në qytet dhe një ngjarje e tillë është komentuar nga të gjitha mediat. Padia është bërë për një nga degët luksoze të kësaj kompanie, e cila ndodhet në një ndërtesë historike të Central Park South, e të frekuentuar nga miliardierë nga e gjithë bota.
Menaxheri Nesim Zuberi, i cili ishte përgjegjës për organizimin e banketeve në klub, akuzohet se ka detyruar të gjitha vajzat që punonin aty, që nga ato që sportelin ku lihen palltot e deri kamarieret, që ta dëfrenin seksualisht. Vajzave u kërkohej që të merrnin pjesë në orgji të orëve të vona të natës, në shkëmbim të parave dhe mundësisë pasur një pozicion më të mirë dhe më të paguar në punë.
Sikur të mos mjaftonin këto, Nesim Zuberi akuzohet se ka filmuar video dhe ka marrë fotografi nga orgjitë që organizonte, të cilat pastaj ua tregonte me krenari kolegëve të punës, përfshi edhe pamje erotike të vetes.
Padia që ka shpërthyer në media, është hedhur që në 2011, nga avokati Joshua Friedman, i cili përfaqëson ish-kamarieren e banketeve Keisi Ballenilla. “Zuberi kishte krijuar (dhe ndoshta ende e ka) haremin e tij personal me vajza të prambrojtura të punësuara”,- ka thënë avokati Friedman.
Detajet e orgjive u botuan për herë të parë nga gazeta lokale, “The Neë York Post”, pasi siguroi material nga dëshmia që kishte dhënë në gjyq për tri ditë rresht paditësja Keisi Ballenilla. Ajo pretendon se bashkë me pesë vajza të tjera është detyruar të pranojë fantazitë e sëmura seksuale të bosit të saj, në shkëmbim për pushime në fundjavë dhe punë në orët më të mira.
Padia përmend edhe një prift katolik që punonte aty në bankete në orët e lira dhe që sipas akuzueses ishte edhe vetë i përfshirë në një lidhje seksuale. Gjatë dëshmisë, Keisi ka thënë se Nesim Zuberi e kishte detyruar madje të bënte seks mbi tavolinat e pambuluara bilardos, në katin e 10 të ndërtesës.
Ajo thotë se më në fund është larguar në 2009, “pas pesë vitesh në ferr” kur ndonëse shtatzënë, Zuberi vazhdonte të kërkonte seks prej saj.
Të gjitha këto akuza janë hedhur poshtë nga NYAC dhe vetë Nesim Zuberi. “Nuk ka absolutisht asnjë të vërtetë në këto akuza”, ka thënë zëdhënësi James O’Brien. Ai ka thënë se kompania ka sjellë ndihmë ligjore nga jashtë për të hetuar në mënyrë të pavarur akuzat dhe hetimi ka përfunduar se asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Vetë shqiptari i akuzuar i ka thënë gazetës njujorkeze se akuzat janë të pathemelta: “Kjo vajzë, kjo grua, po e përdor këtë për të përfituar”, tha ai. “Nuk mund të them më shumë se çështja është ende në gjykim”.
b.s/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





