

Shelly Ann Fraser Price është mbretëresha e shpejtësisë në Atletikë. Pasi triumfoi në garën e 100 metrave, atletja xhamajkane bëri të sajin dhe 200m, me kohën e 22 sekonda e 17 të qindtat, duke u shfaqur sërish e jashtëzakonshme në garimin e saj.
Price jo vetëm që bëri një start pothuajse të përkryer, por gjithashtu arriti të djegë në finish dhe dy rivalet e saj afrikane, atleten nga Bregu i Fildishtë, Ahoure që fitoi gjithashtu argjend dhe në 100 metra dhe nigerianen, Okagbare që mori bronzin ndërsa zhgënjimi i vërtetë ishte amerikania Allyson Felix që u rendit e pesta, aq sa u kalua dhe nga Miller, e Ishujve Bahamas.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës megjithatë mund të ngushëllohen me arin e fituar në stafetën e 4 x 400 metra ku regjistruan kohën më të shpejtë me 2 minuta, 58 sekonda e 71 të qindtat, ndërsa argjendin e fitoi Xhamajka dhe bronzi u mor nga vendasit e Rusisë. Mohamad Farah bëri bis gjithashtu në këtë olimpiadë.
Britaniku triumfoi dhe në 5 mijë metra duke lënë pas dy pretendentët kryesorë, etiopianin Gebrihwet dhe kenianin Koech, që duhet të kënaqen respektivisht me medaljen e argjendit dhe atë të bronzit.
Në hedhjen e gjyles për meshkuj, ari u fitua nga gjermani Storl që zbriti nga podi botëror amerikanin Whiting i cili u rendit i dyti, ndërsa bronzi shkoi për kanadezin Armstrong. Lajmi më i mirë i ditës për Rusinë, erdhi nga Menkov në kërcim së gjati që arriti të ngjitet në podin më të lartë me kërcimin e tij prej 8 metra e 56 centimetra, që ishte dhe rezultati më i mirë i vitit në këtë disiplinë.
I dyti u pozicionua, holandezi Gaisah dhe i treti Meksikani Riviera.
Gjithsesi suksesi në kërcim së gjati për meshkuj u parapri nga një tjetër medalje ari për Rusinë në hedhjen e çekiçit, ku atletja vendase Tatjala Lisenko vendosi rekordin e pistës, me 78 metra e 80 centimetra.
Argjendin e fitoi Vlodarcizk e Polonisë, ndërsa bronzin kinezja Zhang, transmeton Supersport.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





