

Miqësorja Shqipëri-Armeni 2-0, Valdet Rama dhe Ergys Kaçe shënojnë për kuqezinjtë
Kombëtarja e Shqipërisë mbylli në avantazh me dy gola, ndeshjen miqësore me Armeninë, e cila u zhvillua sot në mbrëmje në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, në Tiranë.
Goli i parë i avantazhit u realizua në minutën e 21’, nga ana e mesfushorit Valdet Rama, i cili i gjetur i zbuluar brenda zonës, goditi saktë dhe mposhti portierin armen, falë edhe një devijimi të mbrojtësit.
Pjesa e parë ishte gjithashtu e pasur me raste, mbi të gjitha për përfaqësuesen tonë, e cila dominoi 45-minutëshin.
Një minutë pas golit, Agolli harkoi shkëlqyeshëm në zonë, por Januzi nuk mundi të kthente për centimetra drejt rrjetës topin, i cili kaloi të gjithë pasqyrën e portës.
Në të 30’, ishte Rroshi që me një shpërthim të shkëlqyer nga krahu i djathtë arriti deri në fundore, ku krosoi në qendër për Kapllanin. Sulmuesi ynë, në një planzhon me kokë, përsëri nuk arriti të devijonte saktë për çështje milimetrike.
Tre minuta më pas, Kapllani u shërbye në hyrje të zonës së rreptësisë nga Dallku, që me një filtrim të mrekullueshëm e nxorri të vetëm përballë portierit 40-vjeçar të Armenisë, i cili arriti të grushtonte mjeshtërisht, duke devijuar topin në goditje këndore.
Armenia, nga ana e saj, testoi dy herë seriozisht portierin Berisha, i cili në dy raste arriti të shpëtonte portën me daljet e tij të sakta, ndërsa në të 32’, gardiani i portës sonë bëri një pritje të shkëlqyer, në një diagonale brenda zonës, të ardhur pas një serie kombinimesh nga ana e armenëve.
Në pjesën e parë nuk u realizua asnjë ndërrim. Kombëtarja jonë luajti me formacionin 4-4-2, me këta futbollistë. Në portë, Berisha. Mbrojtës: Agolli, Cana, Teli, Dallku. Mesfushorë: Basha, Rroshi, Abrashi, Rama dhe në sulm, Januzi e Kapllani.
Pjesa e dytë nisi me dy zëvendësime për kuqezinjtë e De Biasi-t, teksa autori i golit Valdet Rama i ka lënë vendin Andi Lilës, kurse Admir Teli largohet për Mërgim Mavraj.
Kombëtarja shqiptare ka vijuar me inkursionet e saj ofensive, në minutën e 48-të Januzaj u gjend përballë portës, tentoi të godiste, por topi u ndal nga mbrojtësit armenë, ndërsa 10 minuta pas rifillimit të lojës, ka qenë Basha, ai që ka tentuar me një goditje nga distanca, mbi traun e portës kundërshtare, pas pasit të dhënë për të nga Kapllani.
Sërish ka ndërhyrë tekniku italian i Shqipërisë, i cili ka larguar Roshin nga fusha e lojës për të aktivizuar Jurgen Gjasulën dhe Edmond Kapllanin për Shkëlzen Gashin, por deri në minutën e 60’ nuk shënohet asnjë rast i rrezikshëm për të dy ekipet, raportoi TCH.
Në të 65’-tën, Abrashi tentoi me një gjuajtja tokazi nga distanca, nga krahu i majtë në shtyllën e majtë pingule të portierit mik, por topi del pak jashtë.
Ergys Kaçe aktivizohet për Migjen Bashën, në ndërrimin e 5-të të De Biasi-t dhe brenda 2 minutash lojtari me numrin 11 ka shënuar gol, duke dyfishuar shifrat për Shqipërinë. Minuta e 67′, rezultati 2-0.
Vetëm në minutën e 75’ është kujtuar Armenia të rrezikojë portën kuqezi dhe portierin Etrit Berisha, pas një goditjeje këndi nga e majta e sulmit të tyre, por topi zotërohet nga portieri ynë në shtyllën e parë.
De Biasi, i kënaqur me rezultatin e ndeshjes, vijon të provojë të tjerë lojtarë, duke futur Vullnet Bashën në të 76-tën, në vend të Abrashit.
Minuta e 80’, një tjetër aksion sulmues nga Shqipëria, armenët mbyllen më mbrojtje dhe Lila përfiton nga një pasim përgjatë vijës së 16-shes, e zotëron atë, godet fuqishëm, por portieri Kasparov i Armenisë, i futur në pjesën e dytë, grushton me vështirësi në cepin e shtyllës së djathtë të tij.
Në të 82’-tën, një tjetër rast nga autori i golit të dytë, Ergys Kaçe, por këtë herë topi nuk ka gjetur rrjetën kundërshtare.
Kur luhej minuta e parafundit e kohës së rregullt të takimit, Armend Dallku ka humbur topin në krahun e djathtë të mbrojtjes, Norair i Armenisë merr kontrollin e tij, tenton të godasë diagonal, por topi përfundon jashtë shtyllës së majtë të Berishës, pa rrezik.
Tre minutat shtesë të takimit nuk ndryshuan asgjë sa i përket rezultatit. Shqipëria kaloi keshtu pozitivisht testin përpara ndeshjes me Slloveninë, për kualifikueset e Botërorit 2014.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





