

Tiranë, 14 gusht 2013, NOA.al- Policia Bashkiake e Tiranës ka vijuar sot aksionin për lirimin e hapësirave publike, në një tjetër zonë të kryeqytetit.
Aksioni u zhvillua në zonën pranë stadiumit “Dinamo”, në njësinë bashkiake nr. 5, ku hapësirat publike ishin zaptuar nga automjete me tabela shitjeje, dukuri e cila bie ndesh me ligjin dhe me thirrjet e herëpashershme që Policia Bashkiake u ka drejtuar qytetarëve dhe subjekteve.
Inspektori përgjegjës për qarkullimin, në Policinë Bashkiake, Admir Musaj u shpreh se, “në kuadrin e një plani masash të ndërmarrë nga Policia Bashkiake, jemi sot këtu pranë stadiumit “Dinamo”, për të liruar këto hapësira publike të zëna nga këto makina që kanë krijuar një treg të paligjshëm". "Ky aksion do vijojë gjatë gjithë kohës, deri në eliminimin e plotë të këtyre mjeteve", – tha Musai.
Jo vetëm këtu, – shtoi ai, – por në çdo rrugë të Tiranës po evidentohen makina me “tabelë shitje” që zaptojnë hapësirat publike, parkingje që janë të nevojshëm për qytetarë të tjerë. Ky vend para 10 minutash ishte i mbushur plot me makina, aktualisht nuk ka asnjë makinë, do të jetë nën mbikëqyrjen tonë gjatë gjithë kohës, sot e në vazhdim, jo vetëm kjo por çdo pjesë e këtyre tregjeve të paligjshme apo parkimeve të zëna në çdo rrugë të Tiranës”.
Musaj theksoi se subjektet të cilët shkelin ligjin dhe zaptojnë hapësirat publike do të përballen me sanksione, nga gjoba deri në konfiskim të automjeteve. /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





