Transmetuar më 12-08-2013, 18:07

Më 5 gusht 2013 u nda nga jeta Drita Siliqi. Ajo ka qenë një grua intelektuale që ka kontribuar ne edukimin e disa brezave në fushën e arsimit dhe të botimeve.  Ajo ka punuar si pedagoge, publiciste dhe së fundmi si përkthyese nga italishtja në shqip.

Drita Siliqi (Shundi) lindi në Tiranë, më 2 mars të vitit 1933, në një familje patriote tiranase. Babai i saj ishte Athanas Shundi, i cili ka qenë mësues në shkollën e parë shqipe të Tiranës dhe pas përfundimit të studimeve universitare për kimi dhe farmaci në Napoli, hapi farmacinë e tij në Tirane. Ai ishte delegat i Tiranës në Kongresin e Kishës Autoqefale që u mbajt në Berat në shtator të vitit 1922 dhe që vendosi që gjuha e liturgjisë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare të ishte gjuha shqipe. Nëna e Dritës, Kaliroi Spiru Shundi ishte nga nje familje tregtare nga Durrësi, që pati nxjerrë njerëz të njohur si Nako Spiru, por që u persekutua nga regjimi komunist. Shumë pjesëtare të familjes se saj vuajtën shtetëzimet, madje edhe burgjet e komunizmit.

Ndërsa ishte student në Tiranë, Drita u njoh me poetin e ri Drago Siliqi, me të cilin do të lidhte më pas jetën e saj. Pas përfundimit shkëlqyeshëm të studimeve universitare për letërsi, ajo punoi për shumë vite me radhë si arsimtare, fillimisht në Institutin Bujqësor të Kamzës e në Gjimnazin e Shkodrës, në shkollat e mesme Petro Nini Luarasi dhe Sami Frashëri të Tiranës, dhe me pas si pedagoge në Fakultetin e Histori Filologjisë, Katedra e Letërsisë. Më vonë, ajo do të punonte për disa vjet si kryeredaktore në revistën Shqiptarja e Re.

Në vitin 1957,  Drita u bë bashkëshortja e intelektualit të njohur  Drago Siliqi, poet, kritik letrar dhe publicist, i cili vdiq në një aksident ajror më 13 korrik të vitit 1963, duke e lënë pas Dritën me dy vajzat Darinën dhe Laurën.

Gjithë jetën e saj Drita Siliqi ja dedikoi vajzave të saj, nderimit të emrit të bashkëshortit Drago Siliqi si dhe një pune të palodhur intelektuale. Ajo botoi veprën e plotë të Drago Siliqit, u mor me studimin e jetës dhe veprës së Dora D’Istrias (Elena Gjika), përktheu librin “Rinia e nje shqiptareje” (viti 2002), botoi librin me studime “Gruaja shqiptare, probleme të gruas në shtypin e Rilindjes dhe pavarësisë” (viti 2003), përktheu nga italishtja librat “Seksi i shpërfillur”dhe “Intervistë me historinë” të gazetares dhe publicistes së njohur italiane Oriana Fallaci.

Në vitin 2000 ajo u vendos në Shtetet e Bashkuara pranë vajzës së saj.  Ajo la prapa prapa vajzat e saj Darina  Demiri (Siliqi) dhe Laura Konda (Siliqi) me bashkëshortët e tyre Arben Demiri dhe Gjergj Konda, mbesat Lora Carlessimo (Demiri) me familjen e saj dhe Stella Demiri, nipërit Tedi Konda dhe Martin Konda, si dhe një stërnmbesë e një stërnip.

Në ceremoninë mortore të zhvilluar në datën 9 gusht fjala e rastit u mbajt nga shkrimtari Betim Muço, i cili vlerësoi kontributin e Drita Siliqit në fushtën e përkthimeve dhe lëtërsië.

“Dashuria e lidhi atë me pinjollin e një familjeje tjetër të shquar nga Shkodra, Drago Siliqin, një shkrimtar, kritik e botues i ri  e premtues për kohën. Nuk dihet se si do të kishte qenë fati i Dritës në qoftë se i shoqi i saj i ri nuk do të kishte humbur jetën në aksidentin tragjik. Me talentin, temperamentin e iluminizmin e tij, vështirë se Drago Siliqi, njeriu që u dha një pranverë të vërtetë botimeve në vitet ’60 në Shqipëri  do të qe pajtuar me fushatat komuniste anti-kulturë që pasuan. Këtë ma ka thënë dikur me bindje miku i tij i asaj kohe, Ismail Kadare. Jam i sigurtë që gruaja e tij e dashur do ta kishte ndjekur atë burgjeve e internimeve. Po fati e solli ndryshe. Drita Siliqi rrojti shumë pakë me të dashurin e saj por e mbajti dashurinë e tij si yllin polar gjithë jetën. Me një heroizëm e kurajo të pashoqe ajo rriti e edukoi dy vajzat e saj, Laurën e Darinën duke qënë për to babë e nënë në të njëjtën kohë. Ndërkohë mëkoi me letërsinë breza nxënësish  e studentësh si mësuese në shkolla të mesme e pedagoge në universitet dhe punoi e palodhur në organet e shtypit. Ajo nuk e ndërpreu veprimtarinë letrare e botuese, që nga botimet e antologjive poetike, problemet e gruas shqiptare në shtypin e rilindjes, pavarësisë dhe luftës çlirimtare e deri te përkthimet siç ishin librat më të fundit nga Oriana Fallaçi”,- u shpreh Betim Muço

a.k

noa.al