

VIDEO – Reagim shqiptar me Kallash?
Himarë, 12 gusht 2013, NOA – Partia neonaziste greke “Agimi i Artë” ka publikuar video me aktivitetet e zhvilluara një ditë më parë në Himarë, në kuadër të trevjetorit të vdekjes së Aristotel Gumës.
Në ceremoninë e zhvilluar dje në varrezat dhe kishën e Himarës nga anëtarët e “Agimit të Artë” nuk është lejuar prania e mediave shqiptare, ndërkohë që janë shënuar dhe tensione me gazetarët vendas që kanë kërkuar ndjekjen nga afër dhe raportimin e këtij aktiviteti të partisë greke në territorin shqiptar.
Në videon e publikuar në faqen zyrtare të partisë “Agimi i Artë” bëhet thirrje për çlirimin e tëashtuquajturave troje të Epirit të Veriut, ndërsa vdekja e Aristotel Gumës cilësohet si vrasje e qëllimshme dhe Guma si një martir i çështjes së Vorio Epirit.
Fjalimi në ceremoninë përkujtimore është mbajtur nga një prej përfaqësuesve të “Agimit të Artë”, Kristoforos Tsangas. Ai ka deklaruar se “Agimi i Artë” nuk do te ikë nga Himara deri në çlirimin e saj.
Tsangas ka folur dhe në emër të deputetit të “Agimit të Artë” Kristo Papa, i cili për shkak të retorikës anti-shqiptare është shpallur person “non-grata” nga qeveria shqiptare.
Në deklaratën e bërë nga përfaqësuesi i “Agimit të Artë”, Tsangas, thuhet se qeveria shqiptare është e jashtëligjshme dhe se partia ku ai aderon do të vazhdojë luftën për çlirimin e Vorio Epirit.
“Po them dy fjalë në emër në komandantit tonë, Nikos Mihaliakos, të kryesisë dhe në veçanti të të ngarkuarit për çështjet e helenizmit, Kristo Papa, i cili nuk mund të ndodhet këtu, pasi regjimi i jashtëligjshëm i Tiranës e ka shpallur atë ‘non grata’, për shkak të aktivitetit të tij patriotik. Por mendja e tij ndodhet këtu me ne”,- tha Kristoforos Tsangas.
Përfaqësuesi i “Agimit të Artë”, tha se i riu i minoritetit grek, Aristotel Guma u vra për liri dhe gjuhën.
“Vdekja e tij tragjike tregoi se me të vërtetë ai u tregua grek dhe vrasësit e tij, tiranë. Është fati i grave të Himarës të lindin heronj. Dhe është fati i kësaj toke që të mbajë në gjirin e saj trima. Zonja dhe zotërinj, Agimi i Artë nuk vjen në Himarë për të ikur. Bëjmë nderime mbi varrin e tij dhe premtojmë se do të vazhdojmë luftën, deri në momentin e çlirimit”, – tha z.Tsangas. a.k/noa.al
Shikoni videon nga ceremonia e varrimit
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





