

Tiranë, 11 gusht 2013, NOA.al- Inspektoriati Ndërtimor ka vijuar edhe sot aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në kryeqytet. Gjatë orëve të paradites, ky aksion ka konsistuar fillimisht në prishjen e një lavazhi në rrugën “Shyqyri Ishmi”, pranë Xhamisë së Tabakëve, në njësinë bashkiake nr.1. Objekti në fjalë ishte i paligjshëm, pasi nuk kishte leje për zhvillimin e aktivitetit dhe nuk dispononte leje për ndërtim lavazhi. Pas depozitimit të një numri të madh ankesash nga banorët e zonës përreth, nisur edhe nga ndotja e madhe mjedisore dhe akustike që krijonte por edhe nga shpërdorimi pa kriter i ujit të pijshëm, Inspektoriati Ndërtimor ka ndërhyrë duke e kthyer këtë objekt në gjendjen e tij fillestare.
Një tjetër objekt i paligjshëm i është nënshtruar sot prishjes nga ana e Inspektoriatit Ndërtimor dhe ka qenë një shtesë anësore në katin e tretë të një pallati, në rrugën “Gjin Bue Shpata”, pranë stadiumit “Dinamo”, pjesë e njësisë bashkiake nr.5.
Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë së Tiranës vijon me identifikimin e ndërtimeve pa leje si dhe sekuestrimin e betoniereve apo objekteve të tjera, të cilat do të goditen me forcën e ligjit nga ana e INU. Inspektoriati u rikujton qytetarëve, të mos ndërmarrin iniciativa të cilat bien ndesh me ligjin, duke shprehur kështu vendosmërinë për të mos toleruar asnjë ndërtim pa leje në territorin e bashkisë së Tiranës. /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





