



Pescara (Itali) 9 gusht 2013, NOA- Cilësia e drogës së një trafikanti shqiptar nuk i ka pëlqyer një familje mafioze në Itali. Por gjatë kohës që shqiptari ka shkuar të marrë 2.5 kilogramë heroinë, që kishte dërguar tek klani i familjes Bevilacqua, ai është arrestuar së bashku me një grua, që ishte pjesë e familjes mafioze.
Në pranga ka rënë Altin Nika 35-vjeç, për policinë italiane njihej si trafikant dhe shpërndarës “i rëndësishëm” i drogës në zonën e Pescarës. Policia bëri të ditur se Nika mendohet se këtë shërbyer si korrier për shumë ngarkesa me drogë nga Shqipëria drejt Italisë. Një vit më parë ai ishte kapur me një sasi të vogël kokaine dhe hashashi dhe ishte dënuar me disa muaj burg.
Bashkë me Nikën, është arrestuar dhe Rita Di Roco, 27 vjeçe, e cila po kthente sasinë e drogës tek shitësi shqiptar. Gruaja është e martuar me një prej anëtarëve të familjes mafioze Bevilacqua. Sipas policisë, gruaja ka 5 fëmijë dhe për këtë arsye përdoret si korriere e sigurt nga klani mafioz.
Policia ishte vënë prej kohësh në ndjekje të shqiptarit. Gjatë ditës së djeshme, rreth orës 14:00, ai është parë në një parkim makinash teksa merrte drogën. Policia fillimisht dyshoi se bëhej fjalë për shitje, por pas hetimeve rezultoi se doga po kthehej pas nga mafiozët, pasi nuk ishe e cilësisë së mirë. Gjithsej ishin 2.5 kilogramë heroinë e ndarë në 5 pako. Në një prej pakove mungonin 50 gramë heroinë, sasi që sipas policëve është e marrë për të bërë analizat dhe saktësuar cilësinë e mallit.
Një shef i policisë Italiane tha se klani Bevilacqua kontrollon shumicën e tregut të dogës në Pescara dhe cilësohet mjaft i rrezikshëm. “Siç duket droga nuk u ka pëlqyer. Ata kontrollojnë shumicën e zonës dhe kanë reputacion edhe mes vet bandave. Fakti që e kanë kthyer mallin, tregon se nuk kanë dashur të prishin reputacionin duke shitur mall të një cilësi jo të mirë”,- tha për mediat një drejtues i lartë i policisë në Pescara, i cili nuk ka dashur të identifikohet.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





