Transmetuar më 09-08-2013, 17:02

Shkup, 9 gusht 2013, NOA.al – Ambasadori i parë amerikan në Maqedoni, Kristofer Hill ka theksuar se SHBA-të kanë bërë hapa prapa dhe kanë humbur një pjesë të interesit për zgjidhjen e kontestit për emrin e Maqedonisë. Diplomati i mirënjohur amerikan ka theksuar gjithashtu se Maqedonia duhet t’i dyfishojë përpjekjet diplomatike të orientuara ndaj Uashingtonit dhe Brukselit. Ai këto komente i ka bërë për mediat në Shkup duke komentuar edhe vizitën e kryeministrit grek Andonis Samaras në SHBA.

"SHBA-ja ka bërë një hap prapa dhe se kushtet nuk janë që të gjendet zgjidhje për kontestin. Nëse kam të drejtë në këtë përshtypje, mendoj se është me rëndësi që Maqedonia sërish privatisht të dërgojë sinjal deri te SHBA-ja se është e gatshme të tentojë të zgjidhet kjo çështje, duke treguar se ekziston fleksibilitet.  Unë e kuptoj se kjo është shumë vështirë, pasi flasim për çështjen e ndërrimit të emrit, por qytetarët e Maqedonisë duhet të tregojnë se ata janë të mençur rreth perceptimit të kësaj çështje të ndjeshme", ka shtuar Hill.

Hill aktualisht është dekan në Fakultetin për studime ndërkombëtare në Universitetin  në Denver. Ai ka bërë të ditur se  personalisht nuk është angazhuar asnjëherë rreth çështjes së emrit, por se mbetet çdoherë i gatshëm të ndihmojë që të tejkalohet ky kontest mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Sipas tij, për Maqedoninë qëllim kyç ende duhet të jetë anëtarësimi në BE dhe në NATO.

n.p/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit