Transmetuar më 08-08-2013, 20:26

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi të martën e kaluar përfundimin zyrtar të procesit të zgjedhjeve të 23 qershorit. Kjo do të thotë se u mbyll një kapitull i gjerë e dramatik i problemeve që shoqëruan ato para dhe pas fushatës elektorale. Kishte arsye të shumta për të pritur me ankth këtë përfundim, pas një historie jo fort të këndshme 20-vjeçare të zgjedhjeve të kontestuara. Tani ky ankth konsiderohet i kaluar.

Nga Hamdi Jupe

Këto zgjedhje ishin, pa dyshim, më të mirat të zhvilluara deri më sot, në të gjitha aspektet. Problemet nuk munguan, por ishin të asaj natyre që nuk ndikuan në thelbin e tyre. Verdikti i popullit shkoi atje ku duhej në 5500 qendra votimi dhe u lexua në mënyrën e duhur. Institucionet zgjedhore, me përjashtime të pakta, funksionuan sipas ligjit.

Tani të gjitha palët kanë marrë atë që u ka dhënë votuesi prej 1.744 milionë vetash në kuti. Kodi Elektoral pati efektin e vet pozitiv në këto zgjedhje. Ky Kod u përpunua në kohë dhe u dha mundësi partive të interesuara të kryejnë veprimet e duhura strategjike e taktike, në shërbim të maksimalizimit të rezultatit të tyre. Nga qëndrimet e partive para dhe pas zgjedhjeve nuk ka pasur kritika thelbësore ndaj Kodit. Retushime të çështjeve të caktuara të tij, për nevoja të zgjedhjeve të ardhshme, mund të bëhen tani në rrethana më të qeta dhe komode. Dy çështje të aspekteve teknike, të përdorimit të teknologjive bashkëkohore në procesin e votimit dhe të numërimit, dështuan si në Tiranë, ashtu edhe në Fier, ku ishin planifikuar të aplikoheshin.

Ato treguan se vendi nuk i ka ende kushtet materiale dhe njerëzore për mjete të sofistikuara në këtë fushë. Por ato dëshmuan, nga ana tjetër, se zgjedhjet mund të jenë të lira e të ndershme edhe pa përdorimin e këtyre mjeteve të kushtueshme, sepse bota ka qindra vjet që i praktikon format tradicionale të zgjedhjeve. Nuk janë mjetet, po vullneti i aktorëve dhe i organizatorëve të zgjedhjeve që garantojnë ndershmërinë e tyre. Kodi, me sistemin e zgjedhjeve, i detyroi partitë të grupohen në koalicione të ndryshme zgjedhore. Kush nuk e mori këtë masë preventive, u ndëshkua nga zgjedhjet. Nga 66 subjekte zgjedhore të regjistruara, vetëm tetë parti mundën të futen në Parlament, një numër ky jo i vogël për një elektorat si yni.

Në Kuvendin e kaluar ishin të përfaqësuara vetëm 6 subjekte politike. Rezultati i zgjedhjeve u bë i qartë vetëm disa orë pas mbylljes së qendrave të votimit dhe thuajse nuk u ndryshua deri në fund. Ai u pranua përgjithësisht në kohën e duhur nga palët pjesëmarrëse. Ato njohën verdiktin e popullit dhe u dhanë mbështetësve të tyre mesazhet e qetësisë e të vetëpërmbajtjes. Pala fituese i kurseu brohoritë e fitores, ndërsa pala humbëse, me pak përjashtime, e pranoi humbjen në mënyrë të denjë dhe në kohën e duhur. Këto ishin zgjedhjet e para që u vlerësuan si më të rregulltat nga vëzhguesit e huaj dhe të vendit, por së pari nga vetë shqiptarët. Fushata elektorale kaloi përgjithësisht pa eksese dhe me forma më të qytetëruara se vite më parë. Liderët e dy blloqeve kryesore politike përdorën larmi formash të komunikimit të tyre me votuesit, duke e bërë interesante atmosferën e zgjedhjeve. Ata mundën t’i kontaktojnë mbështetësit e tyre anë e kënd vendit, pa pengesa. Me gjithë tensionin politik që injektojnë zakonisht zgjedhjet, atmosfera ishte përgjithësisht korrekte dhe e kulturuar. Kjo tregoi se elektorati shqiptar është pjekur dhe di t’i përjetojë pa shumë emocione ngjarjet elektorale. Zgjedhjet janë kthyer tashmë në një ritual që nuk shkakton shumë dramë edhe te shqiptarët. Ato janë një detyrë qytetare që duhet kryer me seriozitet e qetësi ditën e votimit dhe vetëm kaq. Ky ishte mesazhi i elektoratit shqiptar në to. Zgjedhjet dhanë një verdikt të qartë për ndryshimin e qeverisjes.

Rezultati i tyre ishte i tillë që nuk linte vend për ekuivokë. Kjo i ngushtoi hapësirat për manovrime dhe manipulime të mundshme të tyre. Ishte, pra, meritë e elektoratit që e mbylli hapësirën e keqinterpretimit të rezultatit të tyre. Disa parregullsi që u konstatuan në Lezhë morën përgjigjen e duhur institucionale nga Kolegji Zgjedhor. Kështu, askush nuk mund të ngrejë tani alibi për mosnjohje të zgjedhjeve. Që nga 24 qershori, dita pas zgjedhjeve, e deri më sot, i tërë debati zgjedhor është përmbledhur vetëm në faktin nëse fituesi ka marrë 83 apo 84 mandate, nga 140 deputetë që ka Parlamenti. Ky është një debat me një objekt minimal, që shprehet me shifra në vetëm 0,7 për qind të numrit të përgjithshëm të deputetëve të Parlamentit të ri, një shifër kjo e papërfillshme për të njollosur zgjedhjet. Rezultati i zgjedhjeve nuk ishte vetëm gjykim i elektoratit për qeverinë tetëvjeçare të Partisë Demokratike. Ishte shumë më tepër se kaq. Ishte votim për mbylljen e një kapitulli të politikës së vjetër konfrontuese, të tensioneve permanente midis palëve politike, të gënjeshtrës mbi realitetin konkret shqiptar dhe të bllokimit 20 – vjeçar të proceseve integruese të vendit.

Ai ishte votim për fillimin e një kohe të re në politikën shqiptare, me njerëz të rinj dhe ide të reja. Sa më shpejt të kuptohet kjo nga politikanët e rinj, aq më mirë do të jetë. Rezultati i jep shanse reale tani edhe opozitës së re, të mendojë seriozisht për reformimin e saj në kushtet e reja. U vu re një funksionim përgjithësisht i mirë i institucioneve zgjedhore. Më keq në këtë drejtim u paraqit institucioni kryesor i tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si pasojë e keqpërdorimit politik të tij në momente të caktuara. Politika, nëpërmjet maxhorancës së vjetër parlamentare, i dha goditje serioze besueshmërisë së këtij institucioni me ndërrimin arbitrar të një anëtari të Komisionit, në mënyrën dhe momentin e papërshtatshëm. Por ishte Kolegji Zgjedhor që mbylli hapësirat e abuzimeve dhe kështu u bë e mundur një finale e rregullt e tyre. Rregullsia e zgjedhjeve bëri që ato të vlerësohen edhe nga faktori ndërkombëtar, i cili ishte i shqetësuar prej historisë problematike të zgjedhjeve të shkuara. Tani askush nuk do ta vërë në dyshim rezultatin dhe as do të mund ta përdorë atë për të bllokuar procesit e integrimit të vendit.

Vendet mike demokratike kanë përshëndetur zgjedhjet, fituesit e tyre dhe kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me institucionet e reja të dala prej tyre. Rezultati i zgjedhjeve tregoi edhe një të vërtetë tjetër të hidhur: atë të hendekut mes realitetit mediatik virtual mbi gjendjen e vendit, të krijuar me kujdes nga një numër mediash pranë pushtetit, nga njëra anë, si dhe realitetit të vrazhdë të jetës reale, të mbushur me mjerim të shqiptarëve, nga ana tjetër. Ky i fundit triumfoi në zgjedhje dhe tregoi se realitetet mediatike, sado të sofistikuara të jenë, nuk e kanë jetën të gjatë. Ato shkërmoqen një ditë para pamjeve të thekshme të jetës reale dhe ky është një mësim i mirë për të gjithë politikanët, por edhe për mediat që harrojnë misionin e vërtetë të tyre, të pasqyrimit të jetës ashtu siç është.

Këto ishin vlera të këtyre zgjedhjeve që vijnë në një moment të caktuar të pjekurisë politike të shoqërisë shqiptare. Ato janë pjesë e zhvillimit tonë në përgjithësi, e kulturës demokratike që është bërë pjesë e botëkuptimit të brezit të ri në Shqipëri. E atij brezi që nuk e ka njohur sistemin e kaluar dhe prandaj nuk mund të pranojë më forma të vjetruara të imponimit dhe të intimidimit të shqiptarëve në zgjedhje dhe në përgjithësi, në jetën politike e shoqërore të tij.

"Panorama"

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit