Transmetuar më 08-08-2013, 10:28

Plot një muaj, shumë besimtarë myslimanë në Shqipëri, Kosovë, Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës në Serbi e më gjerë në mbarë botën, kanë agjëruar në respekt të detyrimit islam.

Këtë të enjte 8 gusht, ata i gëzohen mbarimit të muajit të Ramazanit dhe festës së Bajramit.

Në këtë ditë, herët në mëngjes, besimtarët i janë drejtuar xhamive më të afërta të tyre.

Në Tiranë, edhe këtë vit, shumë besimtarë detyrohen të falen në rrugë pasi xhamia e madhe e kryeqytetit ende nuk është ndërtuar. Në orën 06.23 të mëngjesit ata u mblodhën në Bulevardin qendror të Tiranës për të falur Bajramin.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Selim Muca, me një mesazh drejtuar besimtarëve, u shpreh: “Bajrami është festa më e dobishme dhe më e bekuar për myslimanët. Zoti thotë: “Për Mua agjëruat në muajin e Ramazanit dhe sipas urdhrit tim falët namazin e Bajramit. Kthehuni tani në shtëpitë tuaja të pastruar nga gjynahet e të falur”.

Edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka dhënë një mesazh:

“Gëzojeni këtë ditë bashkë me të dashurit Tuaj. Ngushëllohuni bashkërisht. Ndihmohuni bashkërisht. Këshillohuni bashkërisht. Gëzohuni bashkërisht në këtë ditë Bajrami”.

Ai dha edhe një tjetër mesazh kuptimplotë: “Le ta mposhtim me mjete paqësore, me sakrifica si Ramazani dhe festa si Bajrami, kulturën e urrejtshme të sherrit, këtë rudiment të rrezikshëm trashëguar nga e kaluara diktatoriale”.

Në Kosovë, kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Ternava, dha këtë mesazh: “Në këto momente festive kudo shtrihet dora e mëshirës, kjo festë mbjellë gëzimin e harenë në shtëpitë dhe zemrat tona, forcon dashurinë njerëzore. Fuqishëm na rikujton kujdesin që duhet të kemi për varfanjakët, të paaftit për punë, të sëmurët, që edhe zemrat e tyre t’i mbushim me gëzim”.

Ndërsa Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga tha: “Në këtë ditë, të përkujtojmë me respekt të gjithë ata që sot nuk janë gjallë, të gjithë ata që me sakrificën e tyre bënë që ne sot të kemi shtetin tonë, të jetojmë të lirë”.

Një urim i posaçëm për shqiptarët e Kosovës ka mbërritur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama.

“Gjatë muajit të kaluar, myslimanët në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën kanë ndarë në mes vete traditën e Ramazanit me familjet dhe miqtë e tyre, duke marrë forcë nga feja e tyre dhe duke i ndihmuar ata me më pak fat. Në emër të popullit Amerikan, ju përcjell dëshirat më të mira me rastin e festës së madhërishme të Fitër Bajramit”.

Muaji i Ramazanit dhe ndikimi tek shqiptarët

Një vëzhgim mbi muajin e agjërimit në Shqipëri. Flasin zyrtarë myslimanë, qytetarë dhe mjekë. Politika dhe feja, mesazhe të shumta për paqe

Rreth një miliardë e gjysmë myslimanë në të gjithë botën filluan të martën më 9 korrik, muajin e Ramazanit, një nga shtyllat dhe detyrat madhore të besimit islam.

Fillimi i muajit të agjërimit përcaktohet në bazë të lëvizjes së hënës, e cila për të gjithë myslimanët në çdo cep të botës përcjell një drejtësi apo një harmonizim për ta kryer sa më të plotë këtë muaj të rëndësishëm.

Ajo që e dallon këtë muaj, është agjërimi, të cilin e kryejnë njëkohësisht të gjithë besimtarët e botës islame. Në përfundim të këtij muaji, myslimanët anekënd botës festojnë festën e Aid al-Fitr (Bajramin e Madh).

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) thotë se agjërimi na jep mundësi të kontrollojmë më mirë vetveten, të ushtrojmë një komandë të plotë ndaj pasioneve dhe të disiplinojmë më mirë veprimtarinë tonë në marrëdhënie me të tjerët.

“Përveç vlerave shpirtërore e morale, agjërimi, ka gjithashtu edhe një vlerë shoqërore shumë të madhe atë të bashkimit të njerëzve mes tyre dhe kontributit për ata që kanë nevojë”, – thekson një zyrtar i KMSH.

Ramazani te shqiptarët

Për 24 vjet nga 1967 deri 1991, feja u ndalua me ligj në Shqipëri. Kjo detyroi disa besimtarë të feve të ndryshme, të praktikojnë ritet e tyre në fshehtësi. Në fillim të viteve ’90, nisi përhapja e gjerë e fesë dhe rikthimi legal i agjërimit.

Flasin qytetarët

Alda është një mjeke e re, rreth 28 vjeçe dhe jeton në Tiranë. Ajo është myslimane dhe përpiqet të respektojë muajin e agjërimit. Duke folur me IBNA, Alda shprehet se agjërimi është jo vetëm detyrim ndaj Zotit, por jep edhe vlera shëndetësore.

“Agjërimi e mbron trupin nga një numër i madh sëmundjesh, duke e përmirësuar dhjetëfish treguesin fiziologjik të qelizave limfatike dhe duke e shtuar sasinë e qelizave përgjegjëse për imunitetin specifik”, – pohon ajo.

Sipas saj, agjërimi mbron nga dhjamosja dhe rreziqet që vijnë prej saj, si sëmundjet e brendshme dhe të zemrës, arterioskleroza e përgjithshme, dhimbjet e kyçeve, asimilimi i vertebrave, etj.

Vështirësitë e verës

Edhe këtë vit, Muaji i Madhërueshëm i Ramazanit ndodhet në një periudhë të nxehtë vere, ku dita është e gjatë dhe nata e shkurtër. Myslimanët që agjërojnë, duhet që nga agimi deri në muzg të mos hanë dhe pinë asgjë, duke plotësuar kështu një nga detyrimet e fesë islame, raporton balkaneu.com.

Eraldi është 22 vjeç dhe thotë se ka dëshirë të madhe të agjërojë. Ai kujton faktin se para disa vitesh të agjëroje ishte më e thjeshtë.

“Kur dita është më e shkurtër është më e lehtë, por në verë, temperaturat e larta dhe koha e gjatë pa ngrënë dhe pa pirë e bën edhe më sfidat agjërimin”, – pohon ai.

Vlerat shëndetësore të agjërimit

Agjërimi mbron njerëzit nga sëmundjet mendore dhe psikike. Është vërtetuar ndikimi i agjërimit në sëmundjen e skizofrenisë. Dr. Bedawi Nikolajev i Institutit Psikik të Moskës (Rusi), thotë se sëmundjet mendore mund të kontrollohen dhe të përmirësohen me anë të agjërimit dhe dietave. Kjo metodë është aplikuar në 1000 të sëmurë psikikë dhe pasi agjëruan rezultoi se 65 % e tyre ishin përmirësuar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit