Transmetuar më 07-08-2013, 13:34

Shkup, 7 gusht 2013, NOA.al- Kryetari i partisë më të madhe opozitare shqiptare PDSH në Maqedoni, Menduh Thaçi nuk dëshiron që të takohet me liderin e partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev.

Zyrtarë të lartë të kësaj partie kanë theksuar se lideri i tyre nuk dëshiron takim me liderin e sapozgjedhur të partisë më të madhe opozitare maqedonase Zoran Zaev dhe se ai kishte refuzuar një ftesë të tillë. Zaev fundjavën e kaluar u takua me liderin e partisë shqiptare në pushtet BDI në selinë partiake në Tetovë.

Nga PDSH kanë theksuar se nuk shohin ndonjë arsye thelbësore se përse duhej të mbahej një takim i tillë.

"Kryetari Thaçi refuzoi ftesën për takim me Zaev. Nuk shohin ndonjë arsye thelbësore për një takim të tillë. LSDM u bë pjesë e skenareve të VMRO-DPMNE, duke prezantuar në mënyrë fiktive BDI-në si faktorë për zgjidhjen e kontestit të emrit. Në thelb kjo nuk është kështu. Por, kjo tregon se deri ku është procesi i zgjidhjes së këtij kontesti. PDSH mbetet në pozicionin e saj se Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë dhe të zgjidh problemin me emrin", ka theksuar shefi i grupit parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu. Sipas PDSH-së, LSDM ka luajtur lojë joparimore dhe se kjo është dëshmuar në zgjedhjet e fundit lokale.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka theksuar se pret përgjigje për një takim edhe me kryetarin e Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Rufi Osmani, mirëpo përgjigja e këtij të fundit ka qenë se për këtë çështje mund të diskutojnë pas 20 gushtit, kur përfundojnë pushimet. /n.p/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit